Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur konferencën për shtyp pranë ndeshjes së parë miqësore ndaj Ishujve Faroe.
Në konferencë u paraqitën përzgjedhësi Albert Bunjaku dhe Enis Alushi.
Bunjaku deklaroi se janë gati për sfidën me Ishujt Faroe.
“Është një moment i veçantë për ne pasi luajmë ndeshjen e parë zyrtare dhe të pranuar në të gjitha institucionet e futbollit. Ndaj Ishujve do të hymë për rezultat pozitiv, por duke ditur se janë një kombëtare tejet interesante. Unë shpresoj që ndeshjen e parë në eliminatore ta luajmë në Kosovë dhe duhet të bëjmë përpjekje për këtë”, deklaroi Bunjaku.
I pyetur për mospjesëmarrjen e klubeve kosovare në garat ndërkombëtare këtë sezon, Bunjaku deklaroi:
“Unë nuk kam qenë kritik ndaj futbollit të Kosovës, sepse nuk mund t’i kalojmë 10 vite përnjëherë, vetëm jam munduar të them realitetin, klubet nuk duhet ta marrin këtë gjë si ndodhi të keqe. Por, duhet të punojnë dhe të përmitësohet infrastruktura në mënyrë që ti evitojmë problemet e tilla”.
Enis Alushi, lojtar i Përfaqësueses së Kosovës deklaroi se Kosova ka potencial, sidomos në atë ofanziv:
“Jemi përmirësuar shumë dhe sot do të trajnojmë më shumë në aspektin defanziv, aty ku mendojmë se duhet të përmirësohemi pasi në aspektin ofanziv besoj se qëndrojmë mirë, ndaj Ishujve Faroe besoi që të marrim rezultat pozitiv”.
Stërvitjen e radhës që është e fundit para takimit me Ishujt Faroe, Përfaqësuesja e Kosovës e zhvillon sot në orën 17:00 në Frankfurt të Gjermanisë.