Telegrafi

Fitore e rëndësishme e Arsenalit ndaj Cardiffit, synon pozitën e katërt

Pierre-Emerick Aubameyang, Arsenal, Alexandre Lacazette, Cardiff City (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

Arsenali ka arkëtuar pikë të plota në fitoren prej 2-1 kundër Cardiff Cityt në ndeshjen e xhiros së 24 në Ligën Premier që u zhvillua në stadiumin Emirates.

Me gjithë dëshirën për ta zhbllokuar rezultatin, nikoqirët nuk ia dolën të ndërtonin raste të rrezikshme në pjesën e parë.

Zënka mes Alexandre Lacazette dhe Harry Arter (Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Ndoshta rastin më të mirë në këtë gjysmëlojë e pati skuadra mysafire, përmes Bobby Reid.

Në gjysmën e dytë, vendasit i ndryshuan gjërat. Fillimisht, Pierre-Emerick Aubameyang e zhbllokoi rezultatin nga penalltia (66′) dhe nga ky moment Topçinjtë sulmuan vazhdimisht.

Lacazette e shënoi golin e sigurisë (Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Golin e sigurisë e shënoi Alexandre Lacazette (83′), i cili pranoi një top nga Aubameyang dhe shkoi drejt portës për ta dyfishuar rezultatin.

Në fund të ndeshjes, mysafirët arritën ta shënojnë një gol përmes Nathaniel Mendez-Laing (90’+4).

Me këtë fitore, Arsenali është ngritur në kuotën e 47 pikëve, aq sa ka edhe Chelsea në vend të katërt në tabelë, por Blutë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Cardiff City mbetet në zonën e rrezikut (në vend të 18-të) me vetëm 19 pikë të grumbulluara pas 24 xhirosh.

Arsenali zhvillon derbin ndaj Manchester Cityt në xhiron e ardhshme, ndërsa Cardiffi luan kundër Bournemouthit. /Telegrafi/