Arsenali ka arkëtuar pikë të plota në fitoren prej 2-1 kundër Cardiff Cityt në ndeshjen e xhiros së 24 në Ligën Premier që u zhvillua në stadiumin Emirates.
Me gjithë dëshirën për ta zhbllokuar rezultatin, nikoqirët nuk ia dolën të ndërtonin raste të rrezikshme në pjesën e parë.
Ndoshta rastin më të mirë në këtë gjysmëlojë e pati skuadra mysafire, përmes Bobby Reid.
Në gjysmën e dytë, vendasit i ndryshuan gjërat. Fillimisht, Pierre-Emerick Aubameyang e zhbllokoi rezultatin nga penalltia (66′) dhe nga ky moment Topçinjtë sulmuan vazhdimisht.
Golin e sigurisë e shënoi Alexandre Lacazette (83′), i cili pranoi një top nga Aubameyang dhe shkoi drejt portës për ta dyfishuar rezultatin.
Në fund të ndeshjes, mysafirët arritën ta shënojnë një gol përmes Nathaniel Mendez-Laing (90’+4).
Me këtë fitore, Arsenali është ngritur në kuotën e 47 pikëve, aq sa ka edhe Chelsea në vend të katërt në tabelë, por Blutë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Cardiff City mbetet në zonën e rrezikut (në vend të 18-të) me vetëm 19 pikë të grumbulluara pas 24 xhirosh.
Arsenali zhvillon derbin ndaj Manchester Cityt në xhiron e ardhshme, ndërsa Cardiffi luan kundër Bournemouthit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=4LTr_WHUT1M