Site icon Telegrafi

‘Fitore e madhe për arinjtë polarë’ – projekti i Trump për shpime në Arktik refuzohet

Propozimi i Donald Trump për një projekt shpimi në det të hapur në Arktik është refuzuar nga një gjykatë federale e SHBA-së.

Projekti i diskutueshëm u miratua në vitin 2018 dhe që atëherë është përballur me kundërshtimin e ambientalistëve që pretendojnë se shpimi artificial dhe tubacioni nënujor do të rrezikonin derdhjet e naftës në zonë, transmeton Telegrafi.

Ata gjithashtu paralajmëruan për një kërcënim ndaj ariut polar dhe komuniteteve lokale arktike duke e quajtur atë një “katastrofë që pret të ndodhë”.

Në vendimin e gjykatës, zyrtarët deklaruan se administrata Trump nuk kishte arritur të merrte në konsideratë siç duhet ndikimet klimatike të projektit, në përputhje me Aktin Kombëtar të Politikës Mjedisore.

Në një fitore për jetën e egër në rrezik, ajo gjithashtu përcaktoi që Shërbimi Amerikan i Peshkut dhe Kafshëve të Egra nuk arriti të analizonte mjaftueshëm ndikimin në arinjtë polarë, në kundërshtim me Ligjin për Llojet e Rrezikuara.

Kjo përfshinte rëndësinë e ruajtjes së habitatit kritik të ariut polar dhe dëmin që mund t’u vinte atyre si rezultat i shqetësimit të zhurmës.

“Kjo është një fitore e madhe për arinjtë polarë dhe klimën tonë”, thotë Kristen Monsell, drejtore ligjore e oqeaneve në Qendrën jofitimprurëse për Diversitetin Biologjik.

“Ky projekt ishte një katastrofë që pritej të ndodhte dhe që nuk duhej të ishte aprovuar kurrë”. /Telegrafi/

Exit mobile version