Drita ka arritur ta marrë një fitore tejet të rëndësishme si mysafir i Llapit 0-1 për të marrë edhe pozitën e parë në tabelë.
Ndeshja nisi qetë me dy skuadrat që tregonin kujdes dhe kryesisht luhej në mes të fushës.
E rasti i parë i takoi mysafirëve të cilët në minutën e 19-të qëlluan shtyllën nëpërmjet mbrojtësit Liridon Leci.
Pasi kaluan gjysmë ore lojë, Astrit Fazliu pati rast të artë për të shënuar por goditja e tij u prit nga Arben Beqiri.
Në aksionin vijues të mysafirëve, Mirlind Daku tentoi por i vëmendshëm ishte Leotrim Rexhepi i Dritës.
Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për Dritën që arritën të shënonin gol.
Futbollisti kryesor i gjilanasve, Xhevdet Shabani shënoi një gol të bukur nga distanca për 0-1.
Pas golit të pranuar Llapi u vërsul në sulm për të gjetur barazimin.
Mirlind Daku tentoi në minutën e 68 nga distanca por topi shkoi mbi portë.
Dy minuta më vonë Liridon Leci ishte afër ta dyfishonte epërsinë e Dritës, por topi që po hynte në rrjetë u largua nga vija fatale nga Zeqiri i vendasve.
Deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat kishin disa gjysmë raste por që rezultati mbeti ai i minutës së 49-të.
Vlen të cekët se në minutën e 80-të të ndeshjes, kishte tensione në tribuna pasi një numër i madh i Intelektualëve kishin udhëtuar nga Gjilani për ta përkrahur Dritën.
Policia e Kosovës ka intervenuar menjëherë derisa ka shoqëruar disa tifozë.
Me këtë fitore Drita merr pozitën e parë në tabelë me 36 pikë të tubuara sa ka edhe Prishtina.
Ndërkohë Llapi që ishte lidere dy javë më parë tani e sheh vetën në pozitën e tretë me dy pikë më pak.
Në ndeshjen e radhës Llapi do të ketë një udhëtim të vështirë pasi do të luaj ndaj Flamurtarit që po kërkon mbijetesën.
Ndërkohë Drita në Gjilan do ta mirëpres ekipin nga Gjakova, Vëllaznimin. /Telegrafi/