Trepça ’89 ka arritur të marrë një fitore tejet të vlefshme në përballje me kampionin në fuqi Dritën 1-0.
Që nga fillimi i ndeshjes Trepça ’89 kishte iniciativën në fushë shkaku edhe pozitës së vështirë në tabelë.
Xehetarët nuk u vonuan shumë dhe në minutën e 12-të shënuan edhe golin e parë në këtë takim.
Renato Hyshmeri e kaloi bukur Përparim Osmanin dhe me një goditje të fortë mposhti portierin Kirev të Dritës për t’i dhënë epërsinë Trepçës ’89.
Edhe pas golit të shënuar, 89-shi vazhdoi dominimin në ndeshje teksa rast të mirë pati Ylber Maloku por që goditja e tij u prit nga Kirev.
Në minutën e 22-të, Franck Herman i vendasve pati një mundësi të artë shënimi por dështoi ta dërgoj topin në rrjetë.
45 minutat e para të kësaj sfide u mbyllen me epërsinë minimale të vendasve 1-0.
Pjesa e dytë nisi më mirë për mysafirët të cilët patën disa raste të mira shënimi.
Ardian Limani fillimisht gjuajti nga distanca, por pa sukses, ndërsa Kyrian Nwabueze pati dy raste shënimi në minutat 62 dhe 68 por nuk arriti të shënonte.
89-shi deri në fund të ndeshjes arriti të mbrohet mirë dhe ta ruaj epërsinë nga pjesa e parë.
Pas kësaj fitore Trepça ’89 zë pozitën e nëntë në tabelë me 25 pikë të tubuara, ndërsa Drita është dy pozita më lartë me një pikë më shumë.
Trepçën ’89 e pret një ndeshje tejet e vështirë javën e ardhshme pasi luan në kryeqytet përballë Flamurtarit.
Në anën tjetër Drita e Ardian Nuhiut do të jetë nikoqire e Drenicës. /Telegrafi/