Telegrafi

Fitore e madhe e Swanseas në ‘Anfield’ (Video)

Swansea ka arritur të shkaktojë befasi në ndeshjen hapëse të javës së 22-të në Ligën Premier.

Skuadra uellsiane arriti një fitore të madhe në udhëtim tek Liverpool duke mposhtur vendasit me rezultat 2-3.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e qetë nga të dyja skuadrat që ishin të kujdesshme në repartin defensivë.

Pas 45 minutave të parë, skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0-0.

Por me të filluar pjesa e dytë loja u ngjall në fushë dhe filluan golat.

Ishte sulmuesi spanjoll, Fernando Llorente që u asistua mirë nga Wayne Routledge dhe shënoi për 0-1 në minutën e 48-të.

Vetëm katër minuta më vonë, përsëri në skenë doli Llorente, i cili u asistua bukur nga Caroll dhe shënoi me kokë për 0-2.

Liverpooli u rikthye në lojë me një gol nga braziliani Roberto Firmino i cili shënoi pas asistimit nga James Milner.

Në minutën e 69-të, Firmino doli përsëri në skenë, duke shënuar një gol të bukur për ta barazuar rezultatin në 2-2.

Gëzimi i vendasve nuk zgjati më shumë se pesë minuta, pasi mesfushori islandez, Gulfi Sigurdsson shënoi për 2-3 pas një gabimi nga mbrojtësit vendas.

Deri në fund të ndeshjes vendasit provuan ta barazonin rezultatin por një gjëje të tillë nuk ia arritën pasi mysafirët u mbrojtën mirë.

Liverpool edhe pas humbjes mbetet në pozitën e tretë me 45 pikë të tubuara, ndërsa Swansea pas këtyre tri pikëve ngritët në pozitën e 17-të me 18 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=ahgvbJiBHcI