Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka arritur të mposhtë moshatarët e tyre nga Azerbajxhani me rezultat 2-0.
Kosova e nisi mirë ndeshjen që nga minuta e parë duke rrezikuar portën e mysafirëve.
Edhe pse terreni ishte i vështirë për tu zhvilluar ndeshja, pasi kishte shumë borë, djelmoshat tanë nuk u ndalen për asnjë moment.
Në pjesën e parë, Kosova rrezikoi me Dakun, Hasanin dhe Sylejmanin por pa arritur të gjejnë golin.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Në fillim të pjesës së dytë Kosova e gjeti edhe golin e parë në këtë sfidë.
Pas një aksioni shumë të mirë, Dren Feka asistoi tek Mirlind Daku i cili edhe më bukur pasoi tek Florent Hasani që me një goditje të fuqishme shënoi për 1-0.
Goli i dytë erdhi vetëm gjashtë minuta më vonë, kësaj radhe nga një ndërprerje.
Dren Feka harkoi bukur nga rivënia këndore, ndërsa mbrojtësi Kastriot Kolgeci u shkëput edhe më bukur për të shënuar me kokë për 2-0.
Deri në fund të ndeshjes, djelmoshat tanë patën edhe disa gjysmë raste shënimi por që rezultati mbeti 2-0.
Pas kësaj fitore Kosova zë pozitën e tretë në grup me 10 pikë të grumbulluara pas shtatë ndeshjeve.
Ndërkohë Azerbajxhani mbetet në pozitën e fundit me vetëm një pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Kosova më 27 mars do të jetë nikoqire e Gjermanisë në ‘Adem Jashari’. /Telegrafi/