Site icon Telegrafi

Fitore e madhe e Ferizajt, Trepça drejt rënies

Ferizaj ka arritur një fitore të madhe para tifozëve të vet duke mposhtur Trepçën me rezultat 2-1.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen, duke rrezikuar qysh nga minuta e parë.

E goli i parë për Ferizajn erdhi pas 11 minutave lojë, kur shënoi mesfushori maqedonas, Ristovski.

Nëntë minuta më vonë, bardh e kaltërtit arritën ta dyfishojnë epërsinë përballë Trepçës.

Ishte mesfushori me përvojë, Shpëtim Babaj që shënoi nga një distancë rreth 20 metra për 2-0.

Me epërsinë prej dy golave për Ferizajn përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Ferizaj tentonte ta kontrollonte më shumë lojën pasi kishte edhe epërsinë prej dy golave.

Mirëpo mysafirët arritën ta ngushtonin epërsinë me golin e Pleurat Hajdinit që shënoi në minutën e 72-të për 2-1.

Pas kësaj fitore, Ferizaj zë pozitën e nëntë me 27 pikë të grumbulluara dhe i afrohet edhe më shumë shpëtimit nga rënia.

Ndërkohë Trepça tani me një këmbë është në Ligën e Parë të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version