Site icon Telegrafi

Fitore e madhe e Ferizajt përballë Trepçës ‘89

Ferizaj ka arritur të marrë një fitore shumë të madhe në përballje me Trepçën ’89 2-0.

Ferizaj u fut në këtë takim pas eliminimit në çerekfinale nga Kupa e Kosovës.

Skuadra bardh e kaltër e kishte të patjetër fitoren në këtë takim, në të kundërt rrezikonin seriozisht rënien.

Të besuarit e Bylbyl Sokolit e nisën mirë ndeshjen ku vetëm pas 12 minutave lojë arritën të shënonin golin e parë.

Genc Hamiti depërtoi bukur nga krahu i djathtë dhe me një goditje të fuqishme shënoi për 1-0.

Vetëm dy minuta më vonë vendasit realizuan edhe një gol me autor të njëjtë Genc Hamitin që shënoi për 2-0.

Me epërsinë prej dy golave për vendasit përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe në pjesën e dytë Ferizaj filloi më fuqishëm duke pasur rast shënimi me Bashkim Shalën, por që goditja e tij me kokë nuk ishte e saktë.

Skuadra mysafire tentoi deri në fund të ndeshjes të bëjë diçka më shumë por nuk ia arriti përballë mbrojtjes së fortë të vendasve.

Me këto tri pikë të arkëtuara, Ferizaj tani ka 18 pikë dhe vazhdon të mbetet në pozitën e 11-të në tabelë por i ka shtuar gjasat vetës për mbijetesë.

Ndërkohë 89-shi mbetet në pozitën e tetë me 22 pikë të tubuara.

Në javën e ardhshme Ferizaj luan në udhëtim te Drenica, ndërkohë Trepça ’89 pret kampionin në fuqi Dritën. /Telegrafi/

Exit mobile version