Drita ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Besa 2-0, duke vazhduar të jetë lider në Superligën e Kosovës.
Drita e nisi më mirë ndeshjen kur në minutën e tretë pati rast të mirë me Haxhi Nezirajn, por goditja e tij nga gjuajtja e lirë u ndal nga portieri vendas Thaqi.
Ishte pikërisht Haxhi Neziraj që kaloi gjilanasit në epërsi në minutën e 21-të.
Gjakovari u shërbye mirë nga Xhevdet Shabani dhe nuk e pati vështirë ta dërgonte topin në rrjetë nga afërsia për 0-1.
Tetë minuta më vonë, Drita arriti edhe golin e dytë në këtë sfidë.
Sulmuesi këmbëshpejtë, Astrit Fazliu arriti të shënonte me një goditje të fuqishme nga distanca për 0-2.
Drita dominoi gjatë gjithë pjesës së parë dhe shkoi në pushim me epërsi të dy golave 0-2.
Në pjesën e dytë pejanët filluan të sulmonin dhe rastin e parë e patën me Florent Qorrajn por që goditja e tij nuk ishte e saktë.
Pejanët në pjesën e dytë tentuan të bënin diçka më shumë por që në asnjë moment nuk arritën t’ia rrezikonin fitoren Dritës.
Drita kësisoj mbetet lider i vetëm në Superligën e Kosovës me 50 pikë të tubuara, gjashtë më shumë se Prishtina që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërkohë Besa e Pejës ndodhet në pozitën e 10-të në tabelë me vetëm 18 pikë pas 26 ndeshjeve.
Në ndeshjen e ardhshme, Besa e Pejës do të luaj në udhëtim te Prishtina, ndërkohë Drita do të pres Vllaznin e Pozhoranit. /Telegrafi/