Site icon Telegrafi

Fitore e madhe e Drenicës ndaj Prishtinës

Pas barazimit me Trepçën ’89, Prishtina nuk ka arritur të këndellet por ka pësuar humbje 1-0 nga Drenica.

Prishtina e nisi më mirë ndeshjen ku rrezikoi qysh në minutën e pestë me anë të Bozhovic, por që goditja e tij u ndal nga Neziri.

Edhe në minutën e 22-të prishtinasit tentuan nëpërmjet Maxhunit i cili goditi nga largësia por përsëri priti Neziri.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para në Skenderaj.

E pjesa e dytë ishte më e mirë për vendasit të cilët e nisën me gol.

Sulmuesi i vendasve Mëziu arriti të zhbllokoj rezultatin duke shënuar për 1-0.

Vlen të theksohet se asistues në golin e Mëziut ishte mesfushori i vendasve Taulant Dajaku.

Ahmed Januzi i mysafirëve provoi të barazonte rezultatin por që goditja e tij u ndal nga portieri vendas.

Në minutën e 62, Liridon Fetahaj goditi bukur me kokë por që Geci i vendasve e largoi topin nga vija fatale.

Disa minuta para fundit të ndeshjes për mysafirët provoi të shënonte edhe kapiteni Armend Dallku por pa sukses.

Edhe përkundër humbjes Prishtina mbetet e para në tabelë me 43 pikë por që mund ta humbas këtë pozitë në rast se triumfon Drita ndaj Vëllaznimit.

Ndërkohë Drenica ka bërë një hap të madh drejt ikjes së barazhit pasi zë tani pozitën e shtatë me 36 pikë të tubuara.

Në ndeshjen e radhës, Prishtina pret Vëllaznimin në Pejë, ndërsa Drenica udhëton drejt Mitrovicës për tu përballur me Trepçën ’89. /Telegrafi/

Exit mobile version