Peja ka shënuar fitore të lehtë ndaj Dritës me rezultat 84:111 (18:22, 25:32, 23:26, 18:31), takim që në fakt u zhvillua në ‘Karagaçi’ në kuadër të javës së 20-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë, ku epërsia më e lartë e pejanëve ishte gjashtë pikë, 14:20, ndërsa kjo pjesë përfundoi 18:22. Epërsia e pejanëve u ngrit në dhjetë pikë, 29:39, e më pas u ngushtua sërish, megjithatë ata u shkëputën sërish për të shkuar në pushim me shifrat 43:54.
Pejanët vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë dhe kontrolluan lojën. Epërsia u ngrit në 17 pikë, 56:73, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash 66:80. Në dhjetë e fundit, epërsia sa vinte e shtohej, ndërsa Peja triumfoi me shifrat 84:111.
Te Drita u dalluan Nehat Llapashtica me 24 pikë e dhjetë kërcime, Isaiah Johnson me 17 pikë e dhjetë dhe Qëndrim Demi me 24 pikë. Ndërkohë, te Peja u dalluan Trajder Fernandez me 25 pikë, shtatë kërcime dhe tetë asistime, Edgar Garibay me 14 pikë e 19 kërcime, Arian Qallakaj me 24 pikë dhe tetë kërcime, si dhe Ilter Erdem me 12 pikë e 11 asistime.
Peja ka 12 fitore e shtatë humbje, kurse Drita ka 20 humbje në 20 ndeshje.