Site icon Telegrafi

Fitore e lehtë e Prishtinës, ngjitët në pozitën e dytë

Prishtina e ka nisur për mrekulli edicionin pranveror në Ipko Superligën e Kosovës.

Skuadra bardhekaltër ka mposhtur lehtësisht Vushtrrinë me rezultat 4-0, në një ndeshje të dominuar nga minuta e parë deri në fund.

Vetëm pas tre minutave lojë vendasit kaluan në epërsi kur shënoi Endrit Krasniqi një supergol nga gjuajtja e lirë për 1-0.

Ishte sulmuesi nigerian Oto John që realizoi për 2-0 në minutën e 10-të të ndeshjes, duke ia shuar shpresat Vushtrrisë për një rezultat pozitiv.

E me rezultatin 2-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe në pjesën e dytë vazhdoi dominimi i vendasve të cilët gjetën golin e tretë me anë të Gauthier Mankendës në minutën e 63-të.

Krejt në fund të ndeshjes, ishte Meriton Korenica që realizoi për 4-0.

Me këtë fitore Prishtina ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me 34 pikë, tri më pak se Ballkani. /Telegrafi/

Exit mobile version