Telegrafi

Fiton miliona euro, por nuk i intereson luksi: Ish-lojtari i Barcelonës dhe Arsenalit i kalon pushimet në një kamping

Mbrojtësi i djathtë spanjoll Hector Bellerin është shumë i përkushtuar ndaj çështjeve mjedisore, ndërsa së fundmi postoi në llogarinë e tij në Instagram foto të udhëtimit të tij në një kamping, larg syrit të publikut dhe destinacioneve luksoze.

Bellerin nuk ndjek klishenë e një ylli futbolli që do t’i kalonte pushimet në një vend të njohur dhe luksoz.

Në mes të pushimeve, teksa shumë miq të tij po “bombardojnë” rrjetet sociale me foto nga Majami, Ibiza apo Dubai, lojtari i Sporting ka shpërndarë në Instagramin e tij disa foto nga udhëtimi i tij në një kamping.

Bellerin është shumë i përkushtuar ndaj çështjeve mjedisore dhe i vë në praktikë idetë e tij.

Në shtator 2020, Hector Bellerin u bë aksionar i FC Forest Green Rovers, një klub anglez që konsiderohet më ekologjik në botë. Disa javë më parë, në qershor dhe para përfundimit të sezonit të shtyrë për shkak të Covid, spanjolli premtoi të mbillte 3000 pemë për çdo fitore të Arsenalit. Aksioni bëri të mundur rimbjelljen e 60,000 pemëve.

“Unë mendoj se gjërat që më bëjnë më të lumtur janë falas. Ne jetojmë në një botë kapitaliste, shumë të përqendruar në blerjet dhe gjithnjë e më shumë gjëra, por kjo nuk është gjëja e duhur dhe nuk do t’ju çojë askund”.

Lexo po ashtu Bellerin për luftën në Ukrainë: Konfliktet si ai në Palestinë injorohen, ky është racizëm

“Nëse keni një makinë, pse të duhen dhjetë? Ne jemi futbollistë të dehumanizuar, në një flluskë. Po humbasim marrëdhënien me tifozët. Ka shumë gjëra që na ndajnë nga njerëzit dhe kjo nuk ka ndodhur më parë”, kishte thënë ai në një intervistë për mediat katalanase.

 

Në karrierën e tij të deritanishme, Bellerin ka luajtur për Arsenalin, Watfordin, Real Betisin dhe Barcelonën, ndërsa aktualisht është anëtar i Sportingut që nga janari i këtij viti./Telegrafi/