Site icon Telegrafi

Fitoi të drejtën e konkurrimit në një nga spektaklet më të mëdha gjermane, por të riut shqiptar Edmond Behrami i refuzohet viza nga ambasada

Jo të pakta janë problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë e Kosovës, kur duan të konkurrojnë për ndonjë projekt në të mirë të karrierës së tyre, jashtë vendit.

Problemi me vizat përveçse u’a rrit shpenzimet kosovarëve që synojnë lidhjet ndërkombëtare me vendet tjera, shpesh herë edhe u’a pamundëson daljen jashtë vendit për të shkuar dhe kryer synimet që i kanë vënë vetes përpara.

E me një problem të tillë po ballafaqohet talenti kosovar, Edmond Behrami, i cili së fundmi kishte fituar të drejtën për të marrë pjesë në një prej audicioneve të spektakleve më të mëdha gjermane, të talentëve të rinj.

Edmond Behrami ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e spektaklit të talenteve “Deutschland sucht den Superstar (Gjermania kërkon super ylin)”, por që atij i është refuzuar viza nga Ambasada Gjermane, për të udhëtuar drejt shtetit gjerman dhe për t’u paraqitur në audicionet e spektaklit.

Zhgënjimin e tij, Behrami, i cili ka të realizuara edhe disa këngë në shqip, e shprehu përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku edhe publikoi ftesën e pranuar për pjesëmarrje nga “Deutschland sucht den Superstar”.

“Përshëndetje miq, pata qef me e nda këtë postim me juve, afërsisht që një vit më ka bërë ftesë zyrtare Dsds RTL talent show në Gjermani i njohur në krejt botën. Mirëpo shkaku i vizës që ma kanë refuzuar shteti jonë, e kam humbur mundësinë me shku, e vetëm desha me u’a rikujtu se jetojmë në një vend që i shuan ëndrrat e shumë të rinjve”, ka shkruar Edmondi në Facebook.

Kujtojmë që Edmond Behrami është i njohur për publikun shqiptar edhe falë pjesëmarrjes së tij në “The Voice of Albania 3”, ku kishte kaluar me sukses fazën e audicioneve të fshehura, dhe kishte përfunduar në ekipin e Alma Bektashit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version