Edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë bujë të madhe filmi kosovaro-britanik ‘Home’.
Ky i fundit ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve BAFTA për vitin 2017.
E kjo ka bërë që edhe të lavdërohet edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku përfaqësuesi i Britanisë së Madhe ka thënë se sektori kulturor kosovar ka arritur suksese të mëdha në botën kinematografike, transmeton Telegrafi.
“Sektori kulturor i Kosovës është duke arritur suksese të mëdha. Vlen të theksojmë se filmi kosovaro-britanik ‘Home’ është shpërblyer me një çmim në festivalin e filmit BAFTA”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB.
Filmi ka fituar në kategorinë e filmit të shkurtër, duke lënë pas filmat “Consumed”, “Mouth of Hell”, “Standby” dhe “The Party”.
Filmi “Home” bën fjalë për një familje që gjendet në situatat e njëjta si refugjatët e vendeve të Lindjes.
Filmi, ku xhirimet më të mëdha janë bërë në Kosovë flet për një familje që bëhet viktimë e zhvillimeve pa fajin e saj, për tu gjendur në situata njëjtë si refugjatët e vendeve të Lindjes.
Regjia është bërë nga Daniel Mulloy, ndërsa pjesë e ekipit ishin aktorja Arta Dobroshi, Shpat Deda, Zaki Ramadani, Eroll Bilibani, Mrinë Godanci, Elmedina Morina, Sally Campbell, Davud Karbassioun, Andres des Rochers etj. /Telegrafi/