Telegrafi

Kjo është shifra që fituan katër klubet e Kosovës nga UEFA për garat ndërkombëtare këtë sezon

Katër klube nga Kosova morën pjesë në garat ndërkombëtare këtë vit, ku suksesin më të madh e kishte pa dyshim Ballkani.

Kampioni i Kosovës e nisi në Ligën e Kampionëve, por që u eliminua në raundin e parë, duke e vazhduar garën në Ligën e Konferencës, ku arritën të merrnin 4 pikë.

E gjithë aventura evropiane i solli Ballkanit mbi 4 milionë euro nga UEFA, pa llogaritur paratë që vijnë ng marketingu, biletat dhe drejtat televizive.

Sa i përket përfitimeve në vendin e dytë është Dukagjini, që këtë vit mori pjesë për herë të parë në garat ndërkombëtar, si ekipi i katërt nga kampionati.

Dukagjini mori një biletë për Evropë për shkak se Prishtina që ishte fituese e Kupës së Kosovës nuk u licencua nga FFK për garat evropian për sezonin 2023/24, çështje që vazhdon të trajtohet në gjykatë mes klubit ma të madh në vend dhe shtëpisë së futbollit.

Dukagjini që kaloi raundin e parë duke mposhtur klubin nga Gjibraltari, Europa, në raundin e dytë u eliminua nga Rijeka.

Në total klinasit fituan 550 mijë euro nga garat ndërkombëtare.

Drita që zuri vendin e Prishtinës në raundin e dytë të Ligës së Evropës u eliminua në ndeshjen e parë nga Viktoria Plzen.

Në total nënkampioni i Kosovës mori 450 mijë euro nga garat ndërkombëtare.

E fundit është Gjilani që u eliminua në raundin e parë të Ligës së Konferencës nga Progres i Luksemburgut.

Skifterat arritën të marrin 250 mijë euro këtë vit nga garat ndërkombëtare.

Në total klubet tona arritën të marrin nga UEFA hiq më pak se 5 milionë e 393 mijë euro.


Ballkani – 4 milionë e 143 mijë euro

Dukagjini – 550 mijë euro

Drita – 450 mijë euro

Gjilani – 250 mijë euro


/Telegrafi/