Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurit Fitim Doda, për shkak të dyshimit se i njëjti është i përfshirë për veprën vrasje në tentativë që ka ndodhur më 26.03.2024 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj në një përgjigje për Telegrafin.
“Ju njoftojmë se më 24.04.2024, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurit F.D., për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë” (në tentativë), “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas KPRK-së. Ndaj të pandehurit, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.
Kujtojmë se para pak javësh Policia e Kosovës shpalli në kërkim Fitim Dodën dhe Arijan Sijarinën si të dyshuar për vrasje në tentativë.
Më 26.03.2024 rreth orës 13:40 policia kishte marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare një person është plagosur me armë zjarri.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit. /Telegrafi/