Site icon Telegrafi

Fitim Arifi dhe Diellza Kelmendi, do të udhëheqin me Akademinë Olimpike të Kosovës

Në kuadër të shtimit të administratës së Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe me vendim të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Fitim Arifi dhe Diellza Kelmendi do të udhëheqin me Akademinë Olimpike të Kosovës, e cila do të veprojë në kuadër të KOK-ut.

Të dy kanë nisur punën më 1 tetor të këtij viti, derisa paraprakisht kishin kaluar nëpër procedura të intervistimit, pas konkursit të publikuar në muajin gusht në ueb-faqen dhe rrjetet sociale të KOK-ut.

Arifi, është emëruar në pozitën e “koordinatorit të programit arsimor”, ndërsa Kelmendi, në pozitën e “koordinatores së vlerave olimpike”.

Arifi është doktor i Shkencave të Edukimit Fizik, ndërsa së fundi ishte ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport.

Kelmendi, që është edhe doktore shkence e Kineziologjisë, është edhe kryetare e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës. Ajo vjen pas përvojës 9-vjeçare në Universitet si mësimdhënëse, ndërsa gjatë karrierës si sportiste ka qenë basketbolliste e KB Universiteti.

Akademia Olimpike e Kosovës, do të promovojë vlerat olimpike dhe shpirtin olimpik në Kosovë, me fokus të veçantë edukimin e stafit profesional në fushën e sportit.

Exit mobile version