Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Fisnik Ismaili, ka bërë të ditur se pasi që ka marrë lajmin se Agim Bahtiri do t’i bashkangjitet Lëvizjes Vetëvëndosje, ai ka vendosur ta braktisë politikën dhe se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
Ismail, përmes një postimi në Facebook, të cilit ia ka bashkangjitur lajmin që Agim Bahtiri do të braktisë AKR-në dhe do t’i bashkohet LVV-së, ka thënë se “ky lajm sapo ma konfirmoi se unë sivjet s’kam çka lypi me u kandidue, duke e dijtë që Kosovën po e lë në duer të sigurta”.
Postimi i plotë i Ismailit:
“Jam deklarue shumë herë se nëse ka njerëz më të aftë e më të denjë që e meritojnë ulësen time në Kuvend, me krejt vullnetin tërhiqem prej politikës. Ky lajm sapo ma konfirmoi se unë sivjet s’kam çka lypi me u kandidue, duke e dijtë që Kosovën po e lë në duer të sigurta.
I falënderoj krejt përkrahësit edhe dashamirët, përfshi edhe ata që kam mujtë me i dëshpërue, për besimin që e patën në mue. Pavarësisht zhvillimeve të dy vjetëve të fundit, unë kam qëndrue korrekt edhe besnik ndaj parimeve e qëndrimeve të mia, duke e përfaqësue me dinjitetin më të madh që kam mujtë, jo vetëm votuesin tim, por secilin qytetar të Kosovës.
Sonte, me dy duert dhe krejt shpirtin, ia lëshoj rrugën gjeneratës së re, mendjendritun, parimore dhe super-inteligjente.
My job here is done. Natën e mirë”, (sic.), ka shkruar Ismaili.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka konfirmuar për Telegrafin se të premten do ta braktisë AKR-në e Behgjet Pacollit, për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit. Madje, ai ka premtuar se në LVV do të aderojë së bashku me 600 aktivistë të AKR-së. /Telegrafi/