Qeveria e re e cila do të krijohet në të ardhmen duhet të orientohet kah biznesi vendor, si dhe krijimi i kushteve më të mira për të tërhequr sa më shumë investitorë nga jashtë. Sipas njohësve të ekonomisë duhet të vazhdojë fiskalizimi i bizneseve pasi në këtë mënyrë luftohet informaliteti dhe pabarazia në treg.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini thotë për Telegrafin se Qeveria e re, duhet të orientohet më shumë kah prodhimtaria, si dhe krijimi i kushteve të mira për investitorët e huaj.
“Qeveria duhet të fokusohet në biznesin vendor, e po ashtu duhet të përmirësoj ambientin biznesor për të tërhequr sa më shumë investitorë nga jashtë. Duhet të fokusohet për të pasur rend dhe ligj, si dhe luftim të dukurive negative që pengojnë zhvillimin bizneseve”, tha Shahini.
Po ashtu Qeveria , sipas tij, duhet të fokusohet më shumë në fiskalizimin e bizneseve pasi që fiskalizimi do të bie përqindja e ekonomisë formale.
“Dogana e Kosovës e ATK-ja duhet të rrisin kontrollet më shumë. ATK-ja duhet të vazhdojë në procesin e fiskalizimit dhe shtrirjen e tij në të gjithë sektorët e ekonomisë. Pasi që mos shtrirja e fiskalizimit në vetëm disa sektorë të bizneseve krijon pabarazi në treg”, theksoi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Ndërkaq, Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi ka thënë për Telegrafin se ngecja e fiskalizimit krijon probleme shumë të rënda në treg.
Sipas tij, mosfiskalizimi i bizneseve nënkupton tolerancën ndaj informalitetit.
“Bizneset e pafiskalizuara do të kenë pozitë shumë më të favorshme në treg dhe ky pozicion eliminon konkurrencën e barabartë, do të thotë se me mosfiskalizim, Qeveria përkatësisht ATK-ja dëmtojnë tregun dhe konkurrencën barabartë. Për këtë arsye fiskalizimi i bizneseve duhet të shkoj deri në fund”, thekson Rexhepi.
Sipas tij, një hap i duhur do të ishte që bizneset të subvencionohen nga ana e Qeverisë për arkat fiskale.
“Shteti dhe biznesi të ndajnë përgjysmë koston e arkave fiskale. Pa dyshim se aplikimi i arkave fiskale, si dhe funksionimi i plotë i sistemit, ndjeshëm do të ulte evazionin fiskal, i cili është problem mjaft i theksuar në vend. Prandaj, arkat fiskale janë mekanizma efikas kundër luftimit të informalitetit dhe krijimit të trajtimit të barabartë në treg për të gjithë pjesëmarrësit”, tha drejtori i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi. /Telegrafi/