Zbulohen për herë të parë aventurat e Fishtës në rini dhe rebeli që tronditi Universitetin e Livnos. Studiuesja Blerina Suta ka hulumtuar në arkivat e Bosnjës për jetën studentore të klerikut dhe poetit të madh, Gjergj Fishta, ndërsa zbulimet e saj ajo i ka publikuar në librin “Hulumtime mbi veprën e At Gjergj Fishtës”.
Ndryshe nga vlerësimet e shkëlqyera në lëndët e formimit bazë, vlerësime mesatare apo të dobëta, për zellin në lutje apo për sjelljen e Fishtës gjenden qysh në një raport paraprak të periudhës së Krajleva Sutjeskës, ku flitet për gjendjen morale dhe intelektuale, si dhe progresin e studentëve të Institutit Filozofik të Sutjeskës për vitin 1889 (1 maj 1889) apo në “klasifikimin” e viti të parë në Livno (27 qershor 189130) ku, përveç vlerësimit të shkëlqyer në lëndët teologjike, ka dhe një vlerësim “kalueshëm” në “sjellje”!
Këto vlerësime bëhen plotësisht negative gjatë qëndrimit në Livno, ku “mësuesi i sjelljes” (magister morum) ishte fra Agust Çengiq. Në një “Relacion” mbi jetën dhe mënyrën e të vepruarit (de vita et agendi ratione) të nxënësve në klasat e fretërve të teologjisë, i datës 25 mars 1891, i firmosur nga August Çengiq, jepen këto vlerësime për Giorgius Silv(io) Fiscta: ’Të qenit i dëgjueshëm: “me hope”; “Devocion”: “kalon me të shtyrë”; “Recitim i uficeve hyjnore”: “neglizhent”; “Zelli në studim”: “i pakët”; “Zelli në praktikim feje”: “zero”; “Rregulla”: “i pakujdesshëm”; “Mënyra e të jetuarit”: “qortueshëm”; “Sjellje”: “në kufijtë e së pranueshmes”.
Vlerësimi aspak i shkëlqyer i Fishtës në sjellje ndriçon një anë kontrastuese të karakterit të tij, pa kompromis, e cila do të theksohet edhe më shumë në vitet në vazhdim. Në Livno, Fishta student do të marrë pjesë aktive në ‘protestën’ pa precedent, organizuar nga studentët shqiptarë të Fakultetit të Teologjisë të Livnos kundër mësuesit të sjelljes P. Agustino Çengiq.
Ky konflikt nis qysh në fillim të semestrit të dytë (prill 1891) dhe vazhdon për më se një vit, në fillim në nivel lokal dhe më pas në nivel provincial dhe të përgjithshëm të Urdhrit në Romë. Grupi i shqiptarëve, në minorancë përkundrejt klerikëve boshnjakë, tregohet i ndjeshëm ndaj çdo reagimi dhe sjelljeje që ata e ndienin si ‘diskriminuese’.
Letra e parë, drejtuar “Definitorit”, e 3 prillit 1891, firmoset nga 14 nxënës [mes tyre dhe Fishta që firmos me emrin “Enea Silvje Georg Fiscta”] që deklarojnë se nuk e njohin At Çengiqin si mësues, guidë në sjellje: “Pasi jemi aq shumë larg sa deri tani po vuajmë nga sjellja e tij e padrejtë dhe e paarsyeshme; nuk mund as të vuajmë më. Dhe përtej Definitorios, siç shihet, lejoni që të merret një vendim; ai nuk është më mësuesi ynë dhe ne nuk jemi dishepujt e tij. Nën drejtimin e tij vuajmë si moralisht ashtu dhe fizikisht.”
Përgjigjja e Çengiqit për atin Definitor, e datës 4 maj 1891, përshkruan pamjen e një manastiri ku duhet vënë rregull, sidomos ndër shqiptarë dhe malësorë boshnjakë (plehanezë). Është interesante se mes grupit të studentëve rebelë, përgjigjja e Çengiqit mbulon me përgjegjësi pikërisht Fishtën, si drejtues dhe frymëzues i gjendjes: “Disa prej tyre parapëlqenin ta kalonin ditën duke pirë duhan në vend që të sistemonin tonsurën (korone). Mes të gjithëve spikasnin shqiptarët të cilët, ashtu si dhe të tjerët, komandoheshin nga fra Juraj Fiscta, djall me pamje njeriu, natyra e të cilit ishte të tallet dhe të qeshë, si dhe të nëpërkëmbë çdo rregull dhe çdo ligj; […]; për këtë arsye nuk ndenja duarkryq, por m’u desh të qortoj dhe të lutem, por pa sukses dhe mungesa e bindjes vazhdonte ende të qëndronte, falë sidomos Fishtës.”
Episodi që ndërlikoi gjërat është emblematik. Fishta dhe shokët e tij kishin varur portretin e Skënderbeut në murin përballë hyrjes së muzeut, gjest ky jo fort i mirëpritur nga një pjesë e nxënësve boshnjakë që përfundon me fshehje të portretit, siç vërehet në këtë letër të Çengiqit: “Besomëni, At, që në 10 vjet mësimdhënie dhe edukim nxënësish, nuk kam pasur kurrë degjenerime të gjithanshme si ato të këtyre arnautëve dhe disa rishtarëve. Sapo mbërritën, filluan menjëherë të sulmojnë Krajinoviqin, për shkak të karakterit të tij të butë dhe, nëse ai nxehej dhe mundohej t’u përgjigjej njëfarësoj, ata e sulmonin dhe e ofendonin akoma më shumë. Gjithashtu, arnautët kishin vënë në kornizë një portret të Kastriotit dhe duke dashur ta varin në murin përballë muzeut në vend të frat (…) dhe nëse spostohej prej nxënësve tanë në një vend tjetër, ata e vendosnin prapë ku donin. Gjithsesi, meqë Fishta çfarë nuk thoshte dhe tallej me çdo gjë, si me tekstet liturgjike, ashtu dhe me rregullat etj., një nga nxënësit tanë e fshehu atë portret. Atëherë ata shpërthyen dhe krijuan rrëmujë mes nxënësve. Meqë unë nuk dija asgjë për këtë, kur ma treguan, i kërcënova të gjithë që të më tregonin kush e kishte fshehur portretin dhe atëherë njëri prej tyre më tregoi ku gjendej, por meqë nuk mund të tradhtoja nxënësin, portreti ngeli deri sot aty në të njëjtin vend, ndërsa Fishta bashkë me një grup shokësh vazhdoi të provokonte, ashtu siç bën edhe sot […] Nga ana tjetër, Fishta është një nxitës i fortë shpirtrash, i padëgjueshëm dhe i keq, dhe ndiqet nga shumë arnautë e prej disave nga tanët. Sillet në formën më të keqe, nuk arrij t’i rri mbrapa, sidomos në Seminar, pasi nëse provoj t’i them diçka, ai më përgjigjet 50 herë më keq dhe mundohet të nxisë gjithmonë kundërshtimin, të shkaktojë konflikt, nuk ka aspak besim dhe fé, me një fjalë, nuk vlen aspak.”
Konflikti vazhdon dhe përgjatë vitit shkollor 1891-1892, siç e dëshmojnë letrat nga të dyja anët dërguar drejtuesve të Urdhrit në shkallë lokale dhe më lart. Në një letër që daton më 20 shator 1891, shkruar në italisht nga vetë Fishta – siç duket nga kaligrafia – dhe e firmosur nga gjashtë studentë të tjerë shqiptarë, drejtuar provincialit të Urdhrit, Fishta dhe shokët e tij deklarojnë se do të pranonin më mirë të kalonin në “laicitet” sesa të njihnin si “mësues” lektorin A. Çengiq i cili, sipas tyre, thellon hendekun mes grupit shqiptar dhe atij boshnjak:
“I nderuar Át.
Më 19 të këtij muaji filluam mësimin dhe sërish ngeli Çengiqi pro Magistro morum. Por, ai dhe Guardiani na trajtojnë si të mos ishim të kësaj familjeje religjioze. Prej tri javësh Çengiqi nuk flet me ne asnjë fjalë. Në mensë ulen para nesh, që jemi të vitit të tretë të teologjisë, ata që sapo e kanë filluar teologjinë. Kur filloi shkolla, thirri të gjithë boshnjakët për të parë muzeun; për ne të tjerët tha: ç’më duhen ata.
Tani na ka mbajtur në gojë nëpër gjithë Bosnjën, aq sa një boshnjak tha se provinca nuk është e kënaqur që mori shqiptarët. Për këto gënjeshtra dhe shpifje, ne Ju themi sinqerisht se nëse Çengiqi do të vazhdojë të jetë Magister Morum, ne që të gjithë jemi të gatshëm të kalojmë më mirë në laicitet, se ta njohim për mësuesin tonë. Do të bëjmë gjithashtu të njëjtën gjë, nëse provinciali do të lejojë ndarjen që Çengiqi ka bërë mes nesh dhe boshnjakëve. Por, para se të arrijmë në këtë pikë, ne do të bëjmë gjithçka është e mundur pranë Gjeneralit dhe qeverisë për ta rregulluar çështjen. Këtë do ta bëjmë atëherë nëse juve do të hiqni dorë nga çdo përkujdesje atësore prej nesh (Zoti na ruajttë).
Në gjunjë Ju lutemi të mos na braktisni në nevojën tonë. Nuk e shihni që na kanë braktisur të gjithë? Provinciali ka përzënë nga ky kuvend të gjithë boshnjakët që nuk kanë shkuar mirë me Çengiqin. Nëse Juve nga braktisni, nuk do të kemi [2] tjetër mik në botë, përveç Zotit. Na lajmëroni menjëherë për mendimin Tuaj. Duke Ju përshëndetur sërish dhe duke Ju puthur dorën, Ju lutem të keni durim me ne dhe të mos e humbisni dashurinë tuaj për ne, ndërsa Ju themi të vërtetën.
Livno-Gorica, 20 shtator 1891.
Bijtë Tuaj në Krisht: Fr. Gjergj Fishta, Anton Nushaj, Pjetër Gjadri, Lorenc Mitroviq, Engjëll Paliq, Bonav (entura) Gjeça.”
Episodi i fundit i përplasjes ashpërsohet në tone dhe përmbajte, siç tregon letra e 4 majit 1892, ku të rinjtë shqiptarë kërkojnë me forcë drejtësi për shpifjen që i quan “epikurianë” dhe “platonikë” si dhe përgjigjja e Patër Çengiqit e datës 10 maj 1892, i cili vazhdon të konsiderojë Fishtën si nxitësin kryesor të opinionit negativ mbi veprimtarinë e tij. Pas shkëmbimeve të letrave në nivele të ndryshme, deri në Romë, Urdhri e zgjidhi çështjen me zëvendësimin e Çengiqit me një mësues të ri (Kataviqi), i cili në një letër të 23 majit (cituar nga historiani Vrgoq) e interpreton shkakun e vërtetë të konfliktit mes shqiptarëve dhe Çengiqit si një “intolerancë reciproke që u transformua në urrejtje e ushqyer nga pasioni”. Ky incident është domethënës për ndjeshmërinë e Fishtës ndaj një modeli të caktuar kulturor që do vërehet më vonë në veprën e tij. Skënderbeu do të ngelet një pikë kyçe e qëndrueshme e idealit të lirisë për Fishtën.
Nuk është e rastësishme që emri i pagëzimit “Josephus” i 23 tetorit 1871 do t’i lërë vendin emrit “Joannes” dhe më pas, më 8.12.1890 do të marrë emrin solemn të profesionit, “Georgius, Silvius, Aeneas” (“Georgius” si Gjergj Kastrioti dhe “Enea-Silvio” si Enea- Silvio Piccolomini – Papa Pio II, që ndihmoi Skënderbeun në fushatat e tij antiturke). /Shqiptarja/