Site icon Telegrafi

Fishta, përmendoren e ka ndërtue vetë…

Frano Kulli

Nga: Frano Kulli

I bindur në pomendoren (përmendoren) që Fishta kish ndërtuar për kombin e vet, në çastin e mbramë i ka lënë këtë porosi-testament një si bashkëvllaut të vet françeskan: “Unë po des, ju keni me u kujdes për salikim (ceremonialin fetar katolik të vdekjes) porse edhe kombi ka… [të drejta] përrreth meje” (At Gjergj Fishta, botim perkujtimuer, Benedik Dema, 1941). Të drejtat që ai i la Kombit janë krejt veprat e veta shkrimore e atdhetare. Kjo është edhe përmendorja e tij e pavdekshme. Kurse detyrimet që burojnë prej aty për Poetin tonë Kombëtar, kanë qenë dhe janë detyrime për ne.

E një prej këtyre ishte edhe rindërtimi i kaherëpritur i shtëpisë së fëmijnisë së Fishtës, e cila më së fundi përfundoi e po përurohet. Meritojnë përgëzimet tona, të të gjithë dashamirëve të shumtë, kudo janë, ata që e prinë dhe e bënë të mundur. Ministrja e Kulturës, znj. Margariti dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Z. Ndreu, të cilët na e kanë përcjellë si sot një vit më parë mesazhin e zotimin e përkujdesjes për Fishtën si trashëgimi kulturore elitare të kombit. Porse njëherësh mbetet detyrimi i tyre kryesisht, që të sigurojnë nga sot e më mbas fillimin e vijimin e pelegrinazhit te kjo shtëpi. Si një ndalesë e rëndësishme e itinerarit kulturor, dëshiroj e shpresoj, që grupe shkrimtarësh nga gjithë Shqipëria, si ai i 30 dhjetorit të shkuar, mbështetur nga Flamur Hoxha, ta gjejnë hapur atë shtëpi kur do të duan ta vizitojnë. Mos ndodhtë që edhe pas rikonstruksionit ajo të mbetet si një relikte e mbyllur në vendlindjen e poetit.

149-vjetori i lindjes së Fishtës vjen edhe me një buketë librash të rinj përreth tij dhe veprës së vet monumentale. Është një libër-përmbledhje me shkrime e studime për Fishtën i Sabri Hamitit nga Kosova, “Libri i Fishtës” i Ernest Markut, është dhe libri “Teatri i Gjergj Fishtës” i Tonin Çobanit e dom Ndue Ballabanit. Të tre sapo kanë dalë nga shtypi dhe janë në duar të lexuesit të dëshiruar. Dhe së bashku me korpusin e veprës së plotë në dhjetë vëllime, na e afrojnë edhe ndonjë hap më pranë Fishtën tonë të madh-vite larg mërguar dhunshëm prej kujtesës sonë. Për shkaqe të njohura tashma.

E panjohura dhe e papranueshmja, gjithashtu është dhe vijon të jetë se pse zgjat e zgjat përsëri kjo distancë e heshtuar dhe disi e kamufluar… Ndaj një “mea culpa” është prapë në nevojë. Një nevojë për të pastruar shpirtin nga mëkati. Një kërkim ndjese i mbarë shqiptarëve kudo janë, për detyrimin që ende i kemi Fishtës. Ende sot Gjergj Fishtës nuk ia kemi kthyer gjithë respektin për çfarë ai bëri për ne shqiptarët.

Ende sot Fishtën nuk e duam sa ai na ka dashtë ne dhe Shqipërinë tonë.

Nuk e duan poet ata që thonë, qoftë edhe nën zë se Fishta është vetëm “Lahuta” dhe e çmojnë folklorizant. Edhe pse ajo është kryevepra e tij. “Lahuta” nuk është Fishta, Fishta poet është shumë më shumë se “Lahuta”…

Nuk e duan as prozator kur nuk e përmendin si të tillë; as dramaturg nuk e duan. Nuk e duan dramaturg atë, që themeloi teatrin e kultivuar në sallat e Kuvendit të Françeskanëve në Shkodër, përgjatë gjysmës së parë të shekullit XX me 40 melodramat e pjesët e tjera dramaturgjike, që shkroi e përshtati, vepër e cila trajtohet gjerësisht në librin studimor “Teatri i Gjergj Fishtës” i Tonin Çobanit. As satirik nuk e duan ata që thonë se “Gomarin e Babatasit” e kishte shkruar me mllef…! Dhe madje shfaqin edhe reminishencat e një censure absurde edhe sot, siç ka ndodhë, prej burokracisë shterpë, në ndonjë rivënie në skenë këtyre kohëve. As publicist jo… Atë, drejtuesin e “Posta e Shqypnisë”, ku përpos se në gjuhen zyrtare shkruhej për herë të parë edhe shqip. Themeluesin e drejtuesin e “Hylli i Dritës”, tribuna më e spikatura e mendimit publik e kulturor shqiptar përreth tridhjetë vjet. Padyshim.

E çmojnë të tejkaluar “Una moda vechia”. Edhe pse në bashkëkohësinë e vet, ai ishte par exellence, siç e çmonin të gjallët e kohës së tij. Njëri prej shqiptarëve të mëdhenj, Faik Konica, sqimatar, do të thoshte për të: “Fishta i ka lëvruar të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka shkëlqyer”. Fishta mbetet ende i padashtun, përderisa vepra e tij trumbetohet si e pakuptueshme në viset e Jugut sot. Teksa poeti i Liqerit, Lasgushi në Toskëri, do të thoshte për të 80 e ca vjet më parë: “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”.

Kurse për satirat e tij, duke i krahasuar ato me të Molierit, do të thoshte: “Kombi ynë në Fishtën ka më të madhin satirik botëror”. Ose ditunari i madh Eqrem Çabej, në atë kohë gjithashtu do t’i shkruante Lasgush-lirikut të papërsëritshëm në një kartolinë, e cila ruhet ende sot: “Lexova ‘Lahutën’ dhe u mahnita”. Po bëj gati për botim një fjalor me fjalë dhe shprehje frazeologjike nga vepra integrale e Fishtës. Janë më se 13 500 të tilla, që redaksia e nderuar e studiuesve: Tonin Çobani, Tefë Topalli, Ndue Zef Toma, Stefan Çapaliku dhe Hamit Boriçi ka përzgjedhur për t’i shpjeguar atëherë kur patën përfunduar së përgatituri veprën për botim në vitin 2012.

Ndoshta vlen si një “doracak” në ndihmë për ta bërë sa më lehtësisht të lexueshme e të shijueshme atë vepër. Ase, për të zhdavaritë mjegullën e të pakuptueshmes. E për ta lexuar e studiuar në shkolla gjithashtu, çka është po kaq a më shumë e rëndësishme. Ashtu siç bëhet me Danten në Itali, me Shekspirin në Angli a Gëten në Gjermani. Se është e pafalshme që në kurrikulat mësimore Fishta zë vend sa një zë minor në letrat shqipe, kurse si letërsi e rekomanduar për nxënësit as nuk bëhet fjalë. Po nuk e duan as si atdhetar Fishtën.

Ca që e ngulmojnë medoemos bashkëpunëtor të fashizmit, nostalgjikë të pikëpamjes së tyre ideologjike edhe tani kur sistemi bëhen 30 vjet që ka rënë. Ani, pse ai qe i vetmi ndër të mëdhenjtë që madhështinë e shërbesën për kombin i ndërtoi këtu në Shqipëri, me “zavalle krejet” [halle, telashe] të panumrueme. E jo i mërguar… E as si diplomat disa s’e duan Fishtën. Ani pse pakkush si ai punoi për “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”, që e mban si titull eseja e tij, fjalimi historik që u mbajt në Universitetin Katolik të Parisit, më 1919-ën, që është cilësuar edhe si shërbesa e tij më e vlertë që Ai i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve në fushë të diplomacisë.

Atëherë kur Shqipëria kërcënohej të zhbëhej, të shprishej, të copëtohej edhe më. Po ne duhet të shpresojmë se nga ky moment In memoriam, përpjekja jonë, e ne dashamirëve të Fishtës, po edhe e autoriteteve që e drejtojnë Lezhën dhe Shqipërinë, do t‘i shpejtojë ritmet për të kapë medoemos kohën e humbur të vendosjes së Fishtës në Panteonin e Vlerave të Kombit.

Exit mobile version