Telegrafi

Firmoset kontrata për shitjen e kompanisë ARMO

Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se ka përfunduar procesi i firmosjes, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për firmosje, të kontratës së shitjes të 85 % të aksioneve të kompanisë shtetërore të ARMO sh.a. Firmosja e kontratës nga Konsorciumi dhe Ministria e Ekonomisë vjen një javë pasi kishin mbaruar negociatat midis palëve. Kontrata për t’u bërë efektive duhet që të kalojë në parlament dhe pas këtij procesi kompania do të kalojë tek pronari i ri.

Pagesa e 125 milionë eurove

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur gjithashtu se pret që konsorciumi që ka fituar garën për blerjen e 85 për qind të aksioneve të kompanisë ARMO do të paguajë shumën prej 125 milionë euro qeverisë brenda këtij viti. Njëkohësisht Konsorciumi detyrohet që të paguajë dhe një shumë prej rreth 3 milionë euro për konsulentin Pattom Bogs.

Shitja e kompanisë ARMO në një shumë prej 125 milionë euro ishte sipër parashikimeve të bëra nga konsulenti amerikan që kishte llogaritur si një çmim të mirë 50 milionë euro. Specialistët e sektorit të energjisë bëjnë të ditur se aktiviteti i kompanisë ARMO është i lidhur ngushtë me puset e naftës në vend. Nëse nuk ka një rrjet të mirë bashkëpunimi, atëherë aktiviteti i kompanisë mbetet i vështirë.

Kontrata

Aksionet shtetërore të kompanisë së tregtimit dhe përpunimit të naftës i janë shitur konsorciumit përbërë nga tre shoqëri: Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas, INC. Çmimi i shitjes së 85 % të aksioneve të ARMO sh.a. është 128,750,000 euro.

Konsorciumi i ka dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës një garanci kontrate prej 20 për qind të çmimit. Në bazë të kontratës së saponënshkruar, tre shoqëritë anëtare të konsorciumit janë përgjegjëse solidare për pagesën e çmimit të blerjes, zbatimin e Biznes Planit si dhe për përmbushjen e të gjitha garancive të tjera të shitësit në kontratën e shitjes së aksioneve.

Investimet
Blerësi ka garantuar respektimin e Biznes-Planit të dorëzuar në tender dhe investimin e një shume prej $ 240 milionë dollarësh gjatë 5 viteve. Qeveria i ka kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të kushteve të mjedisit dhe mbrojtjes së tij.

Prandaj dhe kontrata parashikon investimin e 50 milionëve për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit në tre vitet e para. Zbatimi i Biznes-Planit, përveç parashikimeve të ndryshme kontraktuale, garantohet edhe nëpërmjet penaliteteve që palët kanë parashikuar në rast moszbatimi të tij. Kontrata i detyron blerësit e ARMO-s të mos shesë aksionet e tij pa miratimin e Ministrisë për një periudhë pesëvjeçare.

Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përfiton 100 % të dividentit nga ARMO deri në ditën e bërjes efektive të kontratës