Finlanda akuzoi sot Rusinë për dërgimin e azilkërkuesve në kufirin e saj, dhe tha se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar një fluks masiv njerëzish dhe për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare.
Kryeministri Peteri Orpo tha në një konferencë për shtyp, se Rusia ka ndryshuar praktikën e saj për të lejuar njerëzit të hyjnë në kufi pa dokumentet e nevojshme të udhëtimit, transmeton Telegrafi.
“Është e qartë se këta njerëz po ndihmohen dhe se rojet kufitare po i shoqërojnë ose i transportojnë deri në kufi”, tha Orpo nga Partia Konservatore e Koalicionit Kombëtar të Finlandës.
Edhe pse ende i vogël, numri i të ardhurve nga Rusia u rrit këtë javë, sipas rojeve kufitare finlandeze. Rreth 60 azilkërkues kanë ardhur përmes Rusisë që nga mëngjesi i djeshëm, thanë autoritetet.
Finlanda miratoi një ligj vitin e kaluar që lejon autoritetet e saj kufitare të ndalojnë në mënyrë të jashtëzakonshme pranimin e kërkesave për azil në kalime të caktuara, në rast se vendi nordik është bërë objektiv i imigracionit masiv të orkestruar nga një vend tjetër.
“Finlanda, anëtare e NATO-s, ndan një kufi 1340 kilometra me Rusinë, që shërben edhe si kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian. Mesazhi që po dërgojmë nga qeveria është i qartë, ne duam të forcojmë sigurinë e kufirit tonë lindor”, tha Orpo.
Ministria e Brendshme e Finlandës do të përgatisë një propozim që mund të lejojë zyrtarët të kufizojnë trafikun kufitar ose të mbyllin disa vendkalime, tha më herët ministrja e Brendshme Mari Rantanen.
Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB), që është përgjegjës për sigurinë kufitare të Rusisë, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Nuk ka të bëjë me numrin e azilkërkuesve, ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Finlandës dhe ndryshimin e aktiviteteve të Rusisë”, tha ministrja e Financave, Riikka Purra, në një postim në platformën X.
Rantanen dhe Purra i përkasin partisë finlandeze anti-imigruese, partia e dytë më e madhe në Koalicionin e Orpo. /Telegrafi/