Telegrafi

Finlanda do të anëtarësohet zyrtarisht në NATO të martën

Finlanda do të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s të martën, ka njoftuar zyra e presidentit finlandez.

Kombi nordik, i cili ndan një kufi me Rusinë, aplikoi për t’u bashkuar me aleancën ushtarake pas fillimit të agresionit në Ukrainë nga Vladimir Putin vitin e kaluar.

Ky është zgjerimi i parë i NATO-s që nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në aleancë në vitin 2020, përcjell Telegrafi.

Njoftimi u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se masa do ta bëjë Finlandën dhe anëtarët e tjerë “më të sigurt”.

“Ne do të ngremë flamurin finlandez për herë të parë këtu në selinë e NATO-s. Do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi”, u tha ai gazetarëve në Bruksel.

Turqia ishte e fundit nga 30 anëtarët e NATO-s që pranoi kërkesën e Finlandës muajin e kaluar.

Megjithatë, Turqia ende po bllokon miratimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Turqia ka thënë vazhdimisht se Suedia duhet të ndërmarrë hapa shtesë kundër mbështetësve të militantëve kurdë dhe anëtarëve të rrjetit që ajo e konsideron përgjegjës për një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016.

Ankaraja i trajton të dy grupet si organizata terroriste. /Telegrafi/