Finlanda po planifikon të ofrojë vaksinim parandalues kundër gripit të shpendëve për disa punëtorë të ekspozuar ndaj kafshëve, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore finlandeze, duke e bërë atë vendin e parë në botë që e ndërmerr këtë hap.
Bëhet e ditur se vendi nordik ka blerë vaksina për 10 mijë njerëz, në kuadër të BE-së e cila ka siguruar deri në 40 milionë doza për 15 vende nga prodhuesi CSL Seqirus.
“Vaksina do t’u ofrohet atyre të moshës 18 vjeç e lart që janë në rrezik nga gripi i shpendëve për shkak të punës së tyre ose rrethanave të tjera”, tha në një deklaratë Instituti Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien (THL), përcjell Telegrafi.
Sipas mediave të huaja, lloji H5N1 i gripit të shpendëve ka shkaktuar asgjësimin e qindra miliona shpendëve në mbarë botën vitet e fundit dhe është përhapur gjithnjë e më shumë te gjitarët, e në disa raste edhe te njerëzit.
Shpërthimet e gripit në Finlandë çuan në asgjësimin e rreth 485 mijë kafshëve për të ndaluar përhapjen e virusit edhe te njerëzit.
Finlanda ka njoftuar se vaksinat do t’u jepen njerëzve që janë në rrezik, si punëtorëve në ferma, teknikëve të laboratorit dhe veterinerëve. /Telegrafi/