Site icon Telegrafi

Finlanda përkrah Maqedoninë në kthimin e perspektivës evropiane

Pas vizitave në Danimarkë dhe Suedi, sot, Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë Nikolla Dimitrov, realizoi takim pune në Helsinki, Republika e Finlandës, përcjell Telegrafi Maqedoni. Kjo është vizitë e parë një ministri të punëve të jashtme të Maqedonisë në Finlandë që nga viti 2012.

Ministri Dimitrov u prit nga homologu i tij finlandez, Ministri i punëve të jashtme të Finlandës, Timo Soini. Dimitrov homologut të tij finlandez i’a prezantoi prioritetet kyçe në planin reformator të Qeverisë së re të Maqedonisë me qëllim të hapjes sa më të shpejtë të perspektivës evropiane të vendit.

Ai poashtu theksoi edhe përkushtimin e qeverisë në aspektin e politikës së jashtme, ku me një qasje konstruktive mundohen të kthejnë miqtë ndërkombëtarë të shtetit dhe krijimin e marrëdhënieve të besimit dhe fqinjësisë së mirë me gjithë shtetet fqinje dhe shfaqjen e bashkëpunimit konkret rajonal. Në kontekst të miqësive ndërkombëtare, Dimitrov falënderoi përkrahjen e vazhdueshme të Finlandës në proceset e euro-integrimeve.

Ministri Soini përshëndeti caktimin reformist të Qeverisë së re, duke siguruar se Finlanda edhe më tej do të vazhdojë me përkrahjen e saj për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Përveç takimit me ministrin e punëve të jashtme Soini, Dimitrov e shfrytëzoi vizitën në Finlandë për takime me përfaqësues të lartë të Ministrisë për arsim dhe kulturë të Finlandës dhe është informuar për sistemin e tyre arsimor si shtet udhëheqës në këtë sferë në nivel botëror./Telegrafi/

Exit mobile version