Telegrafi

Financimi i partive politike, proces i pakontrolluar

Organizata Çohu! sot ka mbajtur një konferencë për media lidhur me  financimin e partive politike, ndërsa u tha se mënyra e financimit të partive politike në Kosovë që nga krijimi i institucioneve është përcjell me probleme dhe defekte të shumta, të cilat kanë bërë që ky proces të mbetet i pakontrolluar dhe menaxhuar siç duhet.

Çohu thekson se financimi edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, dhe i ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë këtë ligj të pazbatueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike.

“Pavarësisht se struktura ligjore përcakton një model të caktuar të financimit, njeh kategoritë e mundshme të financimit dhe përcakton edhe masa disiplinore kundrejt mungesës së transparencës, Ligji për Financimin e Subjekteve Politike mbetet ndër ligjet më të pazbatuara në nivel vendi”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj organizate, edhe pse ligji në disa raste ka paraparë masa të kontrollit për parandalimin e raporteve klienteliste, në raportet e auditorit asnjëherë nuk përmenden si të gjetura.

“Në raportet e auditorit për subjektet politike për vitet 2013-2016 të publikuara nga KQZ, vërehet tendenca e njëjtë e financimit nga donacionet e jashtme. Përveç që në raportet e reja disa nga subjektet politike deklarojnë vlera të mëdha të donacioneve në kontribute për mallra dhe shërbime, por këto donacione janë të deklaruara në mënyrë shumë të paqartë.

“Në raportet e para të publikuara nga KQZ-ja nuk ishin të paraqitur numrat personal të personave që kanë dhënë donacione për partitë politike, gjë që ka bërë të pamundur për Çohu-n të identifikojë donatorët dhe të hulumtoj lidhjet e tyre me bizneset për vitet e fundit. Tanimë KQZ ka publikuar si të korrigjuara këto raporte, ku gjenden edhe numrat personal. Organizata Çohu do të vazhdojë me identifikimin e lidhjeve klienteliste në raportet donator-parti edhe për këto vite”.

Meqenëse masat e deritanishme ligjore nuk kanë parandaluar raportet e mundshme klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve, Çohu konsideron që është e domosdoshme që financimi nga subjektet juridike të cilat kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione  publike të ndalohet plotësisht.

Një e metë tjetër e cila nuk është trajtuar deri më tani është edhe mungesa e transparencës së burimeve dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore nga kandidatët.

Gjatë fushatave zgjedhore kandidatët e partive politike zakonisht realizojnë fushata individuale me shpenzime shumë të mëdha të cilat asnjëherë nuk i deklarojnë.

Çohu konsideron që shpenzimet individuale të kandidatëve duhet të deklarohen në pasqyrat financiare të subjekteve politike. /Telegrafi/