Në analizën e fundit “Plani ballkanik që meriton mbështetjen e të matur”, Financial Times merret me çështjen e rrezikut dhe përfitimeve të idesë së presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për një korrigjim të mundshëm të kufijve dhe shkëmbimin e territoreve.
Në artikullin e saj, kjo e përditshme shkruan se “Manipulimi me kufijtë në Ballkan është më i rrezikshëm e në çdo pjesë tjetër të Evropës. Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, po lëvizin drejt një marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve midis ish-republikës Jugosllave dhe provincës së saj të mëparshme, duke përfshirë këtu çështjen e kufijve dhe një shkëmbimi të territoreve”, transmeton Telegrafi.
Më tej në artikullin e të përditshmes britaneze, të cilin e ka shpërndarë presidenti Thaçi përmes Twitterit personal, thuhet se një marrëveshje e tillë mund t’i ndihmojë Serbisë në rrugën e saj për t’iu bashkuar BE-së dhe Kosovës për t’u bërë kandidate formale për anëtarësim.
“Detajet nuk janë bërë të ditura, por të dy presidentet thuhet të kenë diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve, kryesisht veriun e Kosovës të populluar me serbë, për një pjesë të Luginës së Preshevës, të populluar kryesisht nga shqiptarët.
Kosova duhet të nxisë pesë vendet anëtare të BE-së që të njohin pavarësinë e saj dhe të inkurajojë vendet e tjera në nivel global që të bëjnë të njëjtën gjë, duke bërë të mundur që Kosova të bashkohet me institucionet kyçe ndërkombëtare si OKB-ja dhe INTERPOL-i”, shkruan e përditshmja britanike.
Kjo e përditshme më tej shkruan se lëvizja e të dy vendeve drejt anëtarësimit në BE do të forconte reformat demokratike dhe ekonomike, dhe do të dërgonte një sinjal më të gjerë se integrimi i Ballkanit në institucionet euroatlantike, sado i ngadaltë, vazhdon.
“Por, në të njëjtën kohë, ka shumë gracka potenciale. Një marrëveshje për shkëmbim territoresh mund t’i shtyjë serbët të largohen nga pjesa e tjetër e Kosovës, duke e kthyer atë në një shtet shqiptar mono-etnik.
Shumë qytetarët të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre se presidentët Vuçiq dhe Thaçi, e kanë më shumë për interesat e tyre politike, sesa për vullnetin e popullit.
Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së janë gjithnjë e më ‘të ngrohur’ për planin. Megjithëse kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi idenë, duket se qëndrimi i Berlinit po zbutet”, shkruan gazeta britanike.
“Pasoja më e rrezikshme mund të ishte inkurajimi i liderëve të tjerë dhe njerëzve nga rajoni i ish-Jugosllavisë, kryesisht serbëve nga Bosnja, për të rikthyer kufizimet që nuk u pëlqen”, paralajmëron Financial Times.
Në këtë rast, nëse presidentët mund të arrijnë një marrëveshje, përfitimet e mundshme për Kosovën, Serbinë dhe rajonin e gjerë do të jenë të mjaftueshme për të merituar mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare. /Telegrafi/