Site icon Telegrafi

Finalizohet pajisja me dokumente civile për 58 qytetarët e Kosovës të zhvendosur në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe një koordinimi të ngushtë me institucione të tjera, ka përmbyllur me sukses procesin e pajisjes me dokumente civile për qytetarët e Kosovës të zhvendosur gjatë luftës së vitit 1999 dhe që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Pas një periudhe të gjatë, grupi prej 36 qytetarëve të tjerë mori certifikata të lindjes dhe certifikata të gjendjes penale, duke e çuar numrin total në 58 qytetarë të pajisur me dokumentet e nevojshme.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, theksoi se ky proces është arritur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai shprehu mirënjohje për të gjithë aktorët që kontribuuan në realizimin e këtij procesi.

Ky proces ka kaluar me sukses falë koordinimit të shkëlqyer me misionin e OSBE-së, Agjencinë e Regjistrimit Civil të Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Ambasadën e Kosovës në Shkup.

Në ngjarje ishte i pranishëm edhe konsulli i Ambasadës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Xhevat Podvorica, drejtori i Zyrës Qendrore e Evidencës Penale nga KGJK, Blerim Batatina, u.d drejtori i Drejtoratit të Gjendjes Civile, Ahmet Jashari, drejtoresha e Misionit të OSBE-së në Departamentin e të Drejtave të Njeriut dhe Komuniteteve, Kavya Rajan, si dhe përfaqësuesja nga UNHCR, znj. Merita Ahma. /Telegrafi/

Exit mobile version