Site icon Telegrafi

Finalizohet marrëveshja për pikat e përbashkëta kufitare Kosovë – Serbi

Në këtë marrëveshje gjithashtu parashihet ndërtimi i gjashtë pikave kufitare, sipas konceptit të IBM-it, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme përcjellëse sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian.

Këto pika të përhershme kufitare të IBM-it do të ndërtohen me financimin e Komisionit Evropian, përmes fondeve të Instrumentit të Para Aderimit me një shumë prej mbi 21 milionë eurove.

Komisioni Evropian, në bazë të procedurave të brendshme, parasheh që ndërtimi i këtyre pikave kufitare të IBM-it të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, ajo që është parë deri më tani tregon se marrëveshja për menaxhimin integruar të kufijve me Serbinë dallon nga ajo që Komisioni Evropian ka përcaktuar si koncept për vendet e Ballkanit perëndimor.

Raportohet se marrëveshja për menaxhim të integruar lë jashtë dy nga çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me këtë çështje përcaktimin e vijës kufitare dhe njohjen e dokumenteve shtetërore. E kjo për shkak se qytetarët e Kosovës në Serbi mund të hyjnë vetëm me letërnjoftime ngase shteti serb aktualisht nuk e njeh Republikën e Kosovës.

Problem tjetër mbetet mos definimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ku para pak ditësh janë shënuar disa incidente ku ka pasur të vrarë nga të dyja shtetet.

Njohës të çështjeve të sigurisë kanë rekomanduar që zyrtarë të lartë ta ngrenë çështjen tek ndërkombëtarët dhe madje demarkacioni i kufirit të vendoset në dialogun që po zhvillohet në Bruksel. Mospërcaktimi i kufirit me Serbinë po shihet si njëra ndër pengesat që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

 

Exit mobile version