Telegrafi

Finalizohen dy operacione antidrogë, shtatë persona vihen në pranga në Shkodër

Policia ka njoftuar finalizimin e dy operacioneve policore antidrogë të realizuar në Shkodër të koduar “Bleran” dhe “Sheshi”.

Si rezultat i operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, policia ka vënë në pranga 7 persona të cilët dyshohet se janë të përfshirë në aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Po ashtu gjatë kontrolleve policia ka sekuestruar edhe 5,7 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si kanabis.

“Gjatë operacionit policor “Bleran” u arrestuan në flagrancë shtetasit P. A., 62 vjeç dhe D. A., 33 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bardhaj, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur rreth 5.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare”, njofton policia.

“Gjatë operacionit policor të koduar “Sheshi”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. V. dhe E. V., të dy 19 vjeç, R. P., 26 vjeç dhe R. P., 22 vjeç, të katërt banues në Shkodër dhe R. K., 22 vjeç, banues në Golem, pasi shërbimet e Policisë, në afërsi të sheshit ”Prek Cali”, kanë ushtruar kontroll në automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas dhe si rezultat kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të përgatitur gati për shitje”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/