Fillimviti 2010 padyshim se Kosovën do ta qojë me apo pa dashje drejt bisedimeve të reja, të cilave ngadalë po u bie perdja “misterioze” dhe tani portreti i strukur prapa një rubikoni enigmatik po duket më i qartë.
Paralelisht me Prishtinën në mos ma zëshëm, Beogradi në çdo takim ku ka vend të flitet për Kosovën, e ka përsëritur qëndrimin, se bisedimet nuk kanë përfunduar, dhe në të ardhmen duhet të vazhdojnë. Dhe më pak mund të keni dëgjuar zëra nga ky shtet, se është i interesuar që niveli i dialogut të jetë i natyrës teknike, por që në thelb prek jo vetë statusin e Kosovës, por territorin e saj.
Kur shtrohen pyetjet, zakonisht do të ishte e nevojshme që së paku të mund t’iu dihet “gjysma” e përgjigjeve, dhe “gjysma” tjetër mbetet kur i referohet një institucioni, personaliteteve që kanë marrë përgjegjësi dhe janë të thirrur më me kompetencë të thonë më shumë.
Prishtina jep pareshtur një përgjigje që nuk është krejtësisht e qëndrueshme, se nuk ka bisedime për statusin dhe kufijtë e Kosovës.
Mungesa e funksionimit të institucioneve, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, pasiguria në qarkullimin e njerëzve, mallrave, reagimet e dhunshme të komunitetit serb, kundër banorëve shqiptarë, e bënë joserioze përgjigjen e Prishtinës.
Kualifikimet e bisedimeve për çështje teknike që përkthyer në gjuhën diplomatike do të thotë bisedime politike, që temat rreth tyre mbeten t’i përcaktojnë faktorët relevant, SHBA dhe BE, ndërsa Prishtina dhe Beogradi pasi t’i kenë shteruar të gjitha format e dialogut, si zakonisht mbetet që përmbylljen ta bëjnë diplomatë perëndimor, që pak a shumë u lakohet emri qysh tani.
Cameron Munter, ish-ambasadorin e SHBA-ve në Beograd, për të cilin thuhet se është njohës i dalluar i zhvillimeve në Ballkan, dhe i cili kishte një rol të rëndësishëm që të krijohet qeveria jostabile e Serbisë para dy vitesh, mund të jetë njëri nga ndërmjetësuesit e bisedimeve “teknike” Prishtinë- Beograd.
Ky vit sinjalizon që të jetë i “nxehtë” për disa nga vendet e Ballkanit, dhe pritet të nis finalizimi i zgjidhjeve për disa nga çështjet e pazgjidhura ku bëjnë pjesë : Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia. Periudha dhjetëvjeçare dhe kursi i tanishëm diplomatik mund të ndryshoj, sepse kostoja e madhe e investimet në projekte të bashkëjetesës, të cilat zanafilla e tyre varion nga plane dhe marrëveshje, duket se nuk kanë sjellë qëndrueshmëri të mjaftueshme politike në rajon.
Këtë fakt e bën të besueshëm prezenca ushtarake dhe civile ndërkombëtare, e cila nuk do të mund të qëndroj pafundësisht, dhe kur pas çdo rishqyrtimi të rezultateve brenda një cikli kohor, ende nuk po mund të thuhet se këta popuj nuk kanë nevojë më për “kujdestari ushtarake dhe policore” dhe e kanë hedhur të kaluarën e tyre tragjike prapa supeve të historisë.
Analistët amerikan që janë më të saktë në parashikimet e tyre lidhur me zhvillimet në Ballkan, ka kohë që kanë arritur t’i deshifrojnë akrepat e lëvizjes së politikës amerikane në drejtim të Ballkanit, e cila në raport me Kosovën kanë nxjerrë një argument, i cili nuk duhet të anashkalohet, se statusi dhe kufijtë e Kosovës janë diferencuar dhe po shihen si dy çështje të ndara. Pra, nëse e para konsiderohet çështje e mbyllur, praktikisht ka mbetur e hapur dhe në diskutim çështja e dytë.
A do të kishte kuptim statusi i Kosovës, të cilës do t’i negocioheshin kufijtë ekzistues ? Dikush vetëm kuturu do të mund të jepte një përgjigje pa analizë “po”, por kur kjo çështje nis të shpjegohet nga një matematikë politike, logjika e shëndosh nuk nxjerrë përfundime të tilla kaq naive, dhe sajimi i një përgjigje më të mençur kërkon elaborim të situatës, imponon ridefinim të konceptit politik, shkathtësi në hartimin e projeksioneve të reja, për të cilat as nuk janë bërë, dhe këto situata kërkojnë përgjigje dhe jo heshtje.
Kjo ka rëndësi që në bisedimet eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit të jemi faktor në vendimmarrje në ato vendime ku shkruhet e ardhmja.
Për t’u kapërcyer këto sfida aspak të lehta është e nevojshme një qëndrueshmëri e brendshme politike, koordinim në nivel të faktorit shqiptarë, dy komponentë që shpesh ose shprishen ose nuk ekzistojnë karshi proceseve të mëdha.
Mungesa e stabilitet politik në tërë hapësirën shqiptare ende mbetet brishtë, jo sa e rrezikuar nga jashtë, por nga brenda, dhe për këtë mbajnë përgjegjësi ato forca politike, të cilat në vend të hartës së interesave të mëdha, brenda vetes e kanë dizajnuar hartën “madhore” të interesave partiake.