Faza përfundimtare e IPKO Kupë së Kosovës do të mbahet në Gjakovë, ku palestra “Shani Nushi” do t’i pret mijëra shikues nga e gjithë Kosova për tre ditë me radhë, derisa IPKO Kupa do të kuptojë pronarin e saj për këtë stinor.
Në mbledhjen e mbajtur ditë më parë të Bordit të FBK-së, Gjakova është përcaktuar të jetë nikoqire e KB Vëllaznimi do të merr përsipër organizimin e fazës finales të IPKO Kupës.
“Prej datës 28 mars, e premte, deri më datën 30 mars, e diel, do të luhen ndeshjet në Gjakovë – që do të sjellin triumfuesin e IPKO Kupës”, thuhet në një njoftim të Federatës së basketbollit të Kosovës (FBK).
Trepça-Besa, Drita-Bashkimi, do të jenë takimet çerekfinale të IPKO Kupës, ku fituesit do të shkojnë në gjysmëfinale, e pastaj shortit i bashkangjiten Sigal Prishtina (mbrojtësja e titullit të Kupës) dhe Peja. E të dielën pritet të luhet finalja e madhe e IPKO Kupës.
Trofeun e Kupës së Kosovës në basketboll e mban Sigal Prishtina pasi që kishte mposhtur stinorin e kaluar në Final Fourin e organizuar në Prizren, në palestrën Sezai Surroi, Pejën. /Sporti1/Telegrafi/