Telegrafi

Finale shqiponjash: Simbolet kombëtare të bëra nga tre shqiptarët e “Eurovisionit”

Edicioni i 63-të i “Eurovisionit” duket të jetë edicioni më special për shqiptarët.

Kjo pasi këtë vit në “Eurovision” garuan tre shqiptarë nga shtete të ndryshme, dhe që të tre arritën të kualifikohen në finale.

Eugent Bushpepa është përfaqësuesi i Shqipërisë me këngën “Mall”, i cili arriti të marrë votat e duhura për në finalen e madhe.

Eugent Bushpepa gjatë performancës në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision 2018” (Foto: Getty Images)

Të njëjtin fat pati edhe shqiptarja Eleni Foureira, e cila përfaqësoi Qipron me këngën “Fuego” dhe pritet po ashtu të këndojë në finale.

Eleni Foureira gjatë performancës në gjysmëfinalen e parë të “Eurovision 2018” (Foto: Getty Images)

Ermal Meta është shqiptari i tretë në këtë garë, ai përfaqëson Italinë së bashku me Fabrizio Moron, me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro gjatë performancës në gjysmëfinalen e dytë të “Eurovision 2018” (Foto: Getty Images)

Me të mbërritur në Lisbonë, vendi ku edhe po zhvillohet edicioni i 63-të i “Eurovisionit”, këngëtarët shqiptarë duket të kenë qenë shumë të entuziazmuar dhe të shoqërueshëm me njëri-tjetrin.

Ditë më parë, ishte Eugenti ai i cili publikoi një fotografi me Elenin në Instagram, ku shfaqeshin së bashku duke bërë simbolin e shqiponjës në provat e festivalit.

Lexo po ashtu Kritikët e muzikës vlerësojnë lartë interpretimin e Eugent Bushpepës në 'Eurovision': Ai ka potencialin të fitojë

Kjo fotografi ngjalli reagime të shumta në Greqi, dhe shkaktoi irritim të madh tek fansat grekë të këngëtares, të cilët nuk kanë hezituar edhe ta fyejnë.

Mirëpo, Fureira duket se nuk është mërzitur edhe shumë nga komentet e marra, përderisa ka vendosur që të mos reagojë fare rreth kësaj çështje.

E ndërsa së fundmi, një fotografi tjetër me simbolin e shqiponjës erdhi, kësaj radhe nga dyshja Eugent Bushpepa dhe Ermal Meta.

Ata janë takuar së bashku në prapaskenën e festivalit, ku nuk kanë hezituar që të shkëmbejnë së bashku një fotografi, në të cilën shfaqen të buzëqeshur teksa bëjnë shqiponjën me duar.

“Ermal Meta, një arti i madh dhe i përulur”, ka shkruar Bushpepa në mbishkrimin e fotografisë.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth 'Eurovisionit'

E pra, këta janë tre shqiptarët e “Eurovisionit” të cilët përveç interpretimit dhe performncës së tyre të suksesshme, kanë arritur të bëjnë krenarë shqiptarë edhe me patriotizmin e shfaqur.

Mbetet të shihet shkëlqimi i tyre në natën finale të 12 majit. /Telegrafi/