Telegrafi

Filmohet duke tentuar të vjedh një libër në Argjentinë, jep dorëheqje – ambasadori meksikan tërhiqet për arsye shëndetësore

Ambasadori meksikan i cili është dërguar në shtëpi pasi tentoi të vjedh një libër nga një bibliotekë në Argjentinë, ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore, kanë bërë të ditur zyrtarë të këtij vendi.

Në të njëjtën kohë, të afërmit e ambasadorit, thonë se sjelljet e tij të pazakonta ndoshta janë si pasojë e sulmit në tru që ka pasur ish-ambasadori, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër presidenti meksikan Andre Manuel Lopez Obrador e ka cilësuar rastin si ”të dhimbshëm”. Zyrtarët meksikanë kanë njoftuar mbrëmë se ambasadori Oscar Ricardo Valero, ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.

Mediat meksikane raportojnë se Valero kishte tentuar të vjedh një bluzë në një butik në aeroport, pasi ishte ftuar që të rikthehet në shtëpi në fillim të dhjetorit.

E me kërkesë të familjarëve, është publikuar raporti i mjekut ku thuhet se 77-vjeçari Valero ka tumor në tru dhe se kjo ka mundur të ndikojë në sjelljet e tij të pazakonta.

Në raport gjithashtu thuhet se Valero ishte diagnostifikuar në vitin 2012, kurse ditë më parë është publikuar videoja ku shihet ish-ambasadori duke tentuar të vjedh një libër nga një bibliotekë në Buenos Aires, që kushton vetëm 9,5 dollarë. /Telegrafi/