Vazhdon të mbetet mister mjeti lundures që vrau pushuesin rus në det, Denis Kaimov, diku mes Himarës dhe Livadhit.
AbcNews publikoi sot pamjet e skafit të të akuzuarit të vetëm për ngjarjen, Fatmir Kuçit, duke sjell në breg trupin e Kaimovit.
Në video duket skafi i tij që vjen nga një distancë e largët nga bregu.
“Një milje larg”, pretendon avokati i Fatmir Kuçit, një distancë që duket se lehtëson pozitat e të akuzuarit.
Sipas ligjit, pushuesit nuk duhet të lahen më shumë se 200 metra nga bregu i HImarës.
Vendi ku u gjet trupi i pushuesit rus Denis Kaimov, është i papërcaktuar. Policia nuk bëri rrethimin e vendit të ngjarjes, duke lënë të paqartë një detaj kyç për ngjarjen.
Sipas Prokurorisë, në pjesën e brendshme të skafit janë gjetur shenjat e gjakut të viktimës. Por, Fatmir Kuçi pretendon se njollat e gjakut në skaf janë pasi ai mori trupin e pushuesit për ta nxjerrë në breg.
Në video duket edhe një gomone tjetër që ndjek skafin me trupin e Kaimovit. Pretendimi i Kuçit është se në vendin e ngjarjes kalonin edhe mjete të tjera lundruese dhe ka qenë një prej tyre që ka vrarë aksidentalisht rusin.