Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në shkurt të këtij viti bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA.
Pavarësisht kësaj, sukseset për këtë film duket se nuk kanë të ndalur.
Pas pjesëmarrjes në “Sydney Film Festival”, i njëjti po ashtu do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Jeruzalem që do të nisë nga 24 gushti.
Këtë e ka bërë të ditur protagonistja kryesore e filmit, aktorja Yllka Gashi, përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.
“Fituesi i çmimit të trefishtë të Sundance “Hive” do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Jeruzalem 2021. “Hive” është në konkursin ndërkombëtar- First Films- (një konkurs ndërkombëtar për filma të shquar nga brezi i ardhshëm i kineastëve)”, thuhet në postim.
“Jerusalem Film Festival 2021” fillon më 24 gusht dhe zgjat deri më 4 shtator.
Filmi “Zgjoi” ndryshe është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes.
Rolin e Fahrijes e luan aktorja, Yllka Gashi. /Telegrafi/