Filmi artistik “Vulë”, me skenar dhe regji nga Valmir Tertini, është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Samskara International Film Festival.
Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto.
Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të.
Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.
Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri – shkruan KultPlus.
“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë, si dhe ka fituar 10 çmime në festivale të ndryshme.