Filmi “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papasi, është në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që këtë vit mban edicionin e 25-të.
Personazhi kryesor është Elma, një vajzë e re shqiptare e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës është në burg. Pas deportimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, vendos të kthehet tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dy motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë, drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional.
Tema që trajtohet është përplasja mes tradicionales dhe modernes – midis brezave.
Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me producent Eno Milkanin, “Derë e hapur” është bashkëprodhim midis Shqipërisë, Kosovës, Italisë dhe Maqedonisë.
Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Filmit në Sarajevë do të zhvillohet nga 16 deri më 23 gusht.