Një prodhim i fundit kinematografik nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë ka shkaktuar reagime të ashpra në radhët e shqiptarëve.
Filmi kontrovers me titull “Mocking of Christ” , në shqip “Tallja me Krishtin” trajton konfliktin e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në 2001.
Në filmin e financuar me paratë publike, ushtarët e UÇK-së prezantohen si vrasës dhe përdhunues të civilëve maqedonas.
Kjo solli një valë reagimesh, nga përfaqësues të institucioneve por edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët kërkuan tërheqjen e filmit dhe hetim mbi këtë çështje.
Jashtë këtij debati nuk mbeti as kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Në reagimin e tij të parë disa ditë pas daljes së filmit, Zaev doli me akuza të rënda, duke thënë se paratë e buxhetit janë shpenzuar për qëllime politike nga Agjencia e Filmit, e cila ka qenë vegël e pushtetit të kaluar në mbjelljen e urrejtjes ndëretnike.
Ai e cilësoi të politizuar Agjencinë dhe bordin drejtues të saj, por garantoi se këto veprime do të marrin fund, duke iu dhënë detyrë konkrete Ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë se re që të ndalin aktivitete të tilla nxitëse dhe të paligjshme.
Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudun Shehapi, gjatë kohës së të cilit ndodhi skandali me filmin në fjalë, thotë se nuk ka qenë në dijeni të këtij keqpërdorimi, duke insistuar se filmi ka kaluar në mënyrë të fshehtë në filtrat përzgjedhës.
Filmi nuk ishte mbështetur nga recensentët fillimisht, por mbetet e paqartë mënyra se si kaloi filtrin final për t’u realizuar. Ofendimet në film janë dënuar edhe nga aktori dhe producenti Refet Abazi, I cili thotë se edhe aktorët duhet të mbajnë përgjegjësi, veçanërisht për një projekt të tillë i financuar me para nga buxheti i shtetit. Abazi madje shpreh dyshime edhe te përbërja e re e Agjencisë së Filmit, nëse do të jetë e aftë të pengojë skandale të tilla në të ardhmen.
Filmi “Tallja me Krishtin” u prit me tone të ashpra nga opinioni publik, dhe menjëherë pas kësaj, vetë ministri i Kulturës, Asaf Ademi, angazhoi inspektoratin e kulturës për të shqyrtuar punën e agjencisë dhe miratimin e filmit të fjalë. /Alsat/