Telegrafi

Filmi “Do t’ju gjej” paraqet mafinë shqiptare

Bryan, një ish-agjent sekret amerikan, vendos të heqë dorë nga gjithçka për t‘i qëndruar pranë Kimit, vajzës së tij adoleshente. Ai detyrohet t‘i kthehet aktivitetit të tij të vjetër për të shpëtuar vajzën e rrëmbyer në Paris.

Bryan niset në kërkim të vajzës duke u betuar se do ta gjejë atë dhe do t’i vrasë rrëmbyesit… Deri këtu, gjithçka në këtë film duket të jetë e njëjtë me historitë e filmave të këtij lloji. Por pastaj mësohet se cilët janë ata që rrëmbyen vajzën dhe mikeshën e saj në aeroportin e kryeqytetit francez.

Subjekti i filmit

Një ish-agjent sekret në pension kërkon të rikuperojë marrëdhënien e humbur mes tij dhe së bijës adoleshente Kim. Po ajo, së bashku me një mike, niset për në Paris, ku ato rrëmbehen nga disa gangsterë të paskrupull.

Heroi vjen nga SHBA-të në Evropë për të shpëtuar bijën, duke ndjekur bandën dhe policët e korruptuar francezë. Ajo që krijon një skemë paragjykuese është fakti se shitësit e femrave janë shqiptarë, ndërsa ata që blejnë këto vajza të reja janë pasunarë arabë.

E gjithë kjo vendoset nën optikën e stereotipit të luftës kundër të së keqes.

Megjithatë, duhet veçuar lojën e aktorëve, e irlandezit Neeson, po ashtu edhe aktorja e re, Maggie Grace, me të cilën jemi njohur në serialin kult "Lost". Ajo na sjell një Kim të brishtë, por edhe të fortë në të njëjtën kohë. Por diva e vërtetë e filmit është këngëtarja e muzikës pop dhe aktorja australiane Holly Valance.