Shkolla e Muzikës “Amadeus” është e themeluar në vitin 2002 nga pianistja e parë e diplomuar kosovare, Valbona Pula – Petrovci.
Kjo shkollë tani më me traditë 14 vjeçare ofron mësime në drejtimet: Piano, Violinë, Kitarë, Flaut, Klarinet, Balet, Bateri, Saksofon, Violoncelo, Violë dhe Solokëndim.
Shkolla e Muzikës “Amadeus” është e licencuar nga Ministria e Arsimit dhe është shkolla e parë private e këtij lloji te ne.
Shkolla ka stafin e saj profesional, puna e të cilëve dëshmohet me paraqitjet publike të nxënësve. Kjo shkollë rregullisht organizon së paku tri koncerte në vit, me të gjithë nxënësit e saj.
Në koncertet e organizuara përpos pikave solistike, ansambleve kamertale dhe grupeve të baletit, merr pjesë edhe i gjithë kori i shkollës me program të përzgjedhur.
Përveç kësaj, shkolla organizon shpesh edhe koncerte humanitare si për fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët me sindromën Down, fëmijët e SOS fshatit etj.
Nxënësit e kësaj shkolle marrin pjesë në gara me karakter kombëtar e ndërkombëtar dhe deri më tani janë shpërblyer shpesh për pjesëmarrjet e suksesshme.
Shkolla ka objektin e saj vetanak me të gjitha kushtet dhe instrumentet e nevojshme për mësim cilësor, si dhe posedon sallën koncertale.
Është i pamohueshëm kontributi i kësaj shkolle në edukimin dhe arsimimin profesional muzikor të brezave të rinj.
Kjo shkollë i kthen fëmijët në botën e artit të mirëfilltë, sepse muzika dhe loja në instrument ndikon fuqishëm në formimin e një personaliteti komplet në të ardhmen.
“Muzika dhe loja në instrument, botë më e pasur për fëmijën tuaj”.