Telegrafi

Filluan “Ditët e biznesit kosovar” në Durrës

Me këtë rast, Vangjush Dako, i ka falënderuar biznesmenët kosovar për iniciativën e promovimit të produkteve të Kosovës në Shqipëri, duke theksuar se ky është një hap i vogël por i rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin në fushën e biznesit të dyanshëm.

Dako, ka pohuar se ky bashkëpunim tashmë është shumë më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm pas ndërtimit të rrugës së kombit, ndërsa bëri të ditur se në këtë qytet janë vendosur rreth 30 biznese të Kosovës.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini, ka kërkuar që kjo iniciativë dhe Memorandumi i mirëkuptimit të ndikojë për eliminimin e barrierave doganore dhe të ketë efekt pozitiv në shkëmbimet tregtare.

“Bizneset kosovare tashmë kanë potenciale dhe mundësi të shtrirjes në Shqipëri por edhe më gjerë”, tha Shahini, duke e falënderuar Bashkinë e Durrësit për gatishmërinë që ka treguar për t’i mundësuar produkteve kosovare të ekspozohen në qytetin e bregdetit shqiptar.

Ndërkaq ngjarja kulmore do të jetë në orët e mbrëmjes në sheshin e Durrësit, i stërmbushur me turistë nga të gjitha trevat. Me këtë rast, biznesmenët në stenda do të ekspozojnë produktet e tyre “Made in Kosova”. /Telegrafi/