Qeveria e Kosovës në fillim të nëntorit ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Vendosja e kësaj takse ka bërë që Kompania ‘Frutex’ të përshpejtojë procesin e instalimit të linjës së punimit të frutave për të prodhuar lëndën e parë për prodhim të lëngjeve natyrale, e cila deri më tani ishte importuar kryesisht nga vendet e rajonit.
Ky investim rreth 3 milion euro, është mbështetur me grante edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Bashkimi Evropian ku aty mund të përpunohen frutat si: mollë, dardhë, kumbulle, pjeshkë, rrush etj.
“Frutex” aktualisht ka të mbjella rreth 30 hektarë me mollë dhe vishnje, por pjesën më të madhe të pemëve pret t’i grumbullojë nga fermerët e Kosovës, prandaj kjo do të jete një mundësi e mirë për fermerët të cilët do të mund t’i dorëzojnë prodhimet e tyre.
Kapaciteti i kësaj linje është 120 ton brenda 24 orëve dhe ky kapacitet do te jete i mjaftueshëm jo vetëm për nevoja të kësaj kompanie por edhe për prodhuesit e tjerë në Kosovë. /Telegrafi/