Telegrafi

Fillon vaksinimi në Gjakovë, Gjini u bën thirrje të gjithëve që të mos kenë frikë për ta marrë vaksinën

Vaksinimi me vaksinën antiCOVID ka filluar mëngjesin e së premten edhe në Komunën e Gjakovës, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Çabrat.

Në fillim të këtij procesi, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha është shumë i kënaqur që vaksinimi ka nisur, teksa ka bërë thirrje që të gjithë personat të vaksinohen.

“Do të vaksinohet personeli shëndetësor dhe personat shumë të shtyrë në moshë janë diku rreth 1 mijë e 300 apo 1 mijë e 400 doza që do të vaksinohen në këtë fazë. Po shpresoj se edhe kontigjentet tjera do të vijnë më shpejt, sepse është e vetmja mënyrë që të imunizohemi dhe të lirohemi edhe ne pak me lëvizje sepse kështu shumë vështirë”, tha Gjini para medieve.

Gjini u shpreh se shpreson se do të ketë program nacional të informimit sa i përket vaksinimit, për shkak që qytetarët të jenë të informuar për vaksinimin, sidomos tash kur sipas tij ka shumë dezinformata.

I pari që mori vaksinën në këtë komunë, ishte shefi i vaksinimit, i cili theksoi se vaksinën e mori për tu bërë shembull për të tjerët.

“Pasi që me profesion mjek, dhe shef i vaksinimit duhet të shërbejmë si shembull dhe të japim mesazh që të gjithë të vaksinohemi. Te gjithë duhet ta marrin vaksinën sepse është e vetmja mënyrë që të mbrohemi. Ka shumë dezinformata, por nëse është e certifikuar atëherë duhet ta marrim atë”, u shpreh ai. /Telegrafi/