Thaçi dhe Vuçiq kanë mbërritur në selinë e BE-së ku mbahen negociatat. Aty kanë takuar drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në BE Angelina Eichhorst ndërkohë që darka me Mogherinin ka nisur në orën 21:00.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
“Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini është takuar me presidentin e Kosovës, Aleksandar Vuçiq para takimit të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Kocijançiq.
Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me lehtësimin e përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet të vazhdojnë sonte në Bruksel dialogun në nivelin më të lartë politik.
Takimi ndërmjet dy presidentëve ka si synim avancimin përpara të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit për relaksimin e raporteve reciproke.
Fokusi do të jetë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese që janë arritur, dhe mënyrat se si të arrihet një zgjidhje finale mes dy vendeve.
Temë kryesore do të jetë edhe zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin, gjë të cilën Serbia e ka kërkuar tash e sa kohë.
Ky është takimi i parë i këtij niveli për këtë vit.
Të dy presidentët kanë qëndruar paraprakisht në SHBA.
Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur më 20 shtator të vitit 2017 në New York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike./Telegrafi/