E plotësuar: Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, pas takimit më përfaqësuesit e partive politike ka theksuar se me gjithë refuzimin e PAN-it për të marrë pjesë, nesër do të mblidhet Kuvendi i Kosovës.
Por, përfaqësuesit e PAN-it theksuan se deputetët e tyre nuk do të marrin në seancën e nesërme, pasi sipas tyre nuk janë konsultuar për mbajtjen e kësaj seance.
Në këtë takim nuk u mbështet propozimi i koalicionit PAN që të mërkurën të mbahet edhe një takim konsultativ, për të caktuar një seancë për të enjten ose të premten.
Ndryshe, në takimin e sotëm konsultativ nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosja, derisa të pranishëm ishin përfaqësues të koalicionit PAN dhe LAA.
Lekaj jep propozimin e PAN: Seanca të thirret për 17 ose 18 gusht
E plotësuar: Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në emër të koalicionit PAN, ka kërkuar që të mërkurën e ardhshme të mbahet edhe një takim konsultativ.
Ai kërkoi që të mërkurën e ardhshme të mbahet edhe një takim konsultativ, ndërsa të enjten ose të premten të caktohet seanca.
“Ne po duam edhe një konsultë të mërkurën, dhe të enjten ose të premten e ardhshme ta caktojmë seancën”, ka shtuar Lekaj./Telegrafi/
Dedaj kërkon nga PAN-i ta caktojë datën e seancës
E plotësuar: Deputeti i koalicionit LAA-në, Ilir Dedaj ka thënë se PAN-i duhet ta caktojë sot datën se kur dëshiron ta mbajë vazhdimin e seancës konstituive.
Ai në takimin konsultativ të partive politike, ka thënë se bllokimi s’po vjen prej atyre.
“Nëse nuk doni të vini nesër në seancë mos ejani nesër. Tregoni kur po doni, propozojeni ditën kur dëshironi të mblidhet seanca”, tha ai.
Hoti: Seanca të mbahet nesër
E plotësuar: Kryetari i grupit parlamentar të koalicionit LDK – AKR –AL (LAA), Avdullah Hoti, ka thënë e përkrahin thirrjen e seancës parlamentare për këtë të enjte, nga ana e kryesuesit, Adem Mikullovci.
Ai tha se e mbështesin seancën e nesërme pasi nuk duhet proceset të shtyhen.
“Kryesuesi duke e shfrytëzuar të drejtën e tij e ka thirrur seancën. Unë mendoj që sjelljet e tilla janë zhagitje të konfigurimit të institucioneve. Ftojmë koalicionin PAN, që të marrë pjesë dhe ta përdorin të drejtën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ne e kemi obligim para qytetarit të vendit të sillemi në mënyrë konstruktive”, ka shtuar Hoti.
Sipas tij, gjuha e përdorur nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, nuk i bënë nder as koalicionit dhe as institucioneve të vendit, duke shtuar se PAN-i është pakicë në legjislativin e vendit dhe e kanë të pamundur që t’i themelojnë institucionet e vendit.
“Nuk e di ku qon kjo rrugë. Është mirë që të tregoni që nuk e keni shumicën, për të themeluar institucionet e vendit, dhe t’i hapnit rrugë themelimit të institucioneve”, ka shtuar ai.
Lekaj, Mikullovcit: Caktuat seancë pa u konsultuar me të gjitha partitë, nuk marrim pjesë
E plotësuar: Edhe Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancë pasi kryesuesi Adem Mikullovci ka caktuar seancën pa u konsultuar me të gjitha partitë politike.
Sipas tij, votimi i kryetarit të Kuvendit është formal dhe është e padrejtë që subjektet politike ta pengojnë këtë.
“Kjo i takon PAN dhe askujt tjetër, nuk mund të vëni kushte se kush do të jetë kandidat. Është z .Veseli që do të zgjidhet dhe kandidati për kryeministër Haradinaj, që shumë shpejtë edhe qeveria do të formohet. Mos të krijohet huti, pse iu pengon kandidati i PAN, pse e pengoni, pse nuk e votoni, jepni rrugëzgjidhje. Tani thirret seanca e njëanshme dhe sot ne bisedojmë është e pakuptimtë dhe e padrejtë. Ne si AAK nuk marrim pjesë në këto seanca që thirren pa pëlqimin e subjekteve politike. T[p[ thirret një seancë e tillë është e ngutshme dhe është e padrejtë”, tha ai.
Mikullovci pas këtij debati tha se nuk do ta anulojë seancën e nesërme.
Enver Hoxhaj: Nuk marrim pjesë në seancë
E plotësuar: Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në takimin konsultativ me partitë politike tha se duan t’i formojnë sa më shpejt institucionet e vendit, por sipas tij, për ta ka shumë rëndësia edhe cilësia dhe jo vetëm formimi i institucioneve.
Ai tha se nuk është mirë që kryesuesi Adem Mikullovci të merr vendime të njëanshme, sikur ka bërë me caktimin e seancës për të enjten.
Hoxhaj tha se kandidati i vetëm i tyre për kryeparlamentar është Kadri Veseli dhe siç tha ai zgjedhja e tij është e pandalshme, sikur që është zgjedhja edhe e Ramush Haradinaj kryeministër.
Nënkryetari i PDK tha se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën e së enjtes (10 gushtit) derisa siç tha ai nuk respektohet vullneti i qytetarëve.
Hoxha tha se duhet koordinim politik e jo hapa të nxituara që nuk i shërbejnë stabilitetit politik.
Ai tha se si PDK e dinë rolin e kryesuesit dhe do ta respektojnë këtë pozitë, por jo veprimet e tij.
Mikullovci: Seancën konstituive nuk e caktova krye në vete
Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, në takimin konsultativ me partitë politike tha se nuk ishte vetëm vendim i tij data për mbajtjen e seancës konstituive më 10 gusht.
Ai në këtë takim tha se nuk e ka caktuar krye në vete datën për seancë.
”Nuk e kam caktuar datën krye në vete”, është shprehur Mikullovci, duke replikuar me përfaqësuesit e PAN-it, të cilët theksuan se seanca e 10 gushtit është caktuar nga Mikullovci pa u konsultuar me partitë politike.
Fillon takimi konsultativ i partive politike, Vetëvendosje nuk merr pjesë (Live)
Ka filluar të mbahet takimi konsultativ i partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është thirrur për të enjten në ora 10.00.
Në takimin kanë ardhur kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, përfaqësues të koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, Pal Lekaj dhe Bilall Sherifi. Nga radhët e koalicionit LAA po marrin pjesë Avdullah Hoti dhe Ilir Deda.
Po ashtu në takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të Lista Serbe, ndërsa mungojnë përfaqësuesit e Vetëvendosjes, të cilët ditë më herët kanë konfirmuar mos pjesëmarrjen.